Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se është shkelur Kushtetuta në rastin e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve.
Siç thuhet në një reagim të këtij instituti, ky zhvillim paraqet një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit.
“IKD ka monitoruar procesin e zhvillimit të seancës konstituive më 26 gusht dhe ka vërejtur se Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka zhvilluar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktika e deritanishme parlamentare”.
“Me përjashtim të formës me shkrim të propozimit, që është risi në Rregulloren e re të Kuvendit, kjo procedurë është ndjekur dhe respektuar vazhdimisht gjatë praktikës parlamentare, përfshirë edhe konstituimin e legjislaturës së kaluar në vitin 2021, gjatë të cilës kjo procedurë ishte ndjekur nga kryesuesi i seancës konstituive, z. Avni Dehari.
Kështu, fillimisht, ftesa e Kryetarit të ri të Kuvendit për të propozuar kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komuniteteve është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Kjo për faktin se kjo Rregullore kërkon formën me shkrim të propozimit për nënkryetarë të Kuvendit, e cila formë nuk u respektua në rastin e Emilija Redžepi. Për këtë arsye, si procesi i propozimit të kandidatit për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, ashtu edhe zgjedhja e deputetes Emilija Redžepi në pozitën e nënkryetares së Kuvendit u bë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe në mungesë të transparencës. Marrëveshjet politike të cilat u prezantuan nga deputeti Elbert Krasniqi nuk mund të bëhen pjesë e një procesi kushtetues e ligjor”.
“IKD vëren po ashtu se Kryetari i Kuvendit ka filluar me procesin e shortit në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ngase shorti aplikohet vetëm kur nuk ka propozime të paraqitura, ndërkohë që në këtë rast kishte propozime konkrete nga deputetët e komunitetit serb, të cilat nuk morën votat e nevojshme, dhe në anën tjetër, vet deputetët e këtij komuniteti, refuzuan me të drejtë shortin, për arsye se mënyra e realizimit të votimit për të dy nënkryetarët ishte jo kushtetuese”.
“Përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë në organet drejtuese të Kuvendit nuk është privilegj, por garanci kushtetuese për integrimin e tyre në procesin demokratik dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Imponimi i vullnetit të pakicave nga shumica parlamentare mbi emrin e përfaqësuesit të pakicave është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Për këtë arsye, në tërësinë e saj, procedura e ndjekur në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë është në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën e deritanishme parlamentare”, thuhet në reagim.
IKD kërkon nga Kryetari i ri i Kuvendit që në vazhdimin e seancës konstituive më 28 gusht, të përsëritet procedura e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nënkryetari nga komuniteti serb dhe nënkryetari nga komunitetet tjera jo-shumicë, pas pranimit të propozimeve me shkrim, duhet të votohen së bashku, në pako. Kjo është e domosdoshme për të garantuar respektimin e rendit kushtetues dhe për të siguruar që procesi i konstituimit të Kuvendit të zhvillohet mbi bazën e rregullave të qarta ligjore e kushtetuese dhe brenda afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese”.