Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot gjetjet e monitorimit të punës së Kuvendit për sesionin pranveror 2024,ku ka konstatuar se ka dështuar ta përmbushë rolin e saj kushtetues.
IKD-ja ka gjetus se edhe në vitet e kaluara, Kuvendi nuk e ka përmbushur rolin kushtetues. Për këtë, ka numëruar edhe arsyet.
“Sikurse, në vitet paraprake, edhe në sesionin pranveror të këtij vitit, puna e Kuvendit është karakterizuar nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit, nga vendimmarrjet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në disa raste nga vendimmarrjet e kundërligjshme, nga cenimi i vazhdueshëm i institucioneve të pavarura me rastin e raportimit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, nga ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike nga ana e deputetëve të Kuvendit dhe nga kabineti qeveritar, nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së kuvendit, nga mungesa e dobët e mbikëqyrjes parlamentare, nga injorimi i qeverisë përballë deputetëve dhe nga gjuha joparlamentare, seksiste, raciste, mizogjene dhe homofobe”, thuhet në gjetjet e IKD-së.
Gjetjet e IKD-së tregojnë se mungesa e kuorumit ka prodhuar mosefikasitet në punën e Kuvendit.
“Lidhur me planifikimin e punëve, Kryesia e Kuvendit ka dështuar që ta propozojë në seancës plenare programin e sesionit të punës, e po ashtu edhe kalendarin e punimeve njëmujore të Kuvendit. Për pasojë kjo situatë solli edhe problemin e vazhdueshëm të mosefikasitetit në shqyrtimin dhe miratimin e pikave të rendit të ditës, mosefikasitet që u bartë nga një vit në tjetrin. Vet sesioni pranveror filloi me 30 pika që u bartën nga viti 2023. Sa i përket mungesës së kuorumit, ai prodhoi mosefikasitet, dhjetëra vazhdime të seancave të rregullta të cilat nuk arritën të përfundojnë për shkak të mungesës se vazhdueshme të kuorumit, fillimisht nga shumica parlamentare, e më pas edhe nga mungesa e deputetëve thirrës të këtyre seancave, kryesisht opozitës parlamentare”, vijon komunikata e IKD-së.
Sipas IKD-së, në sesionin pranveror të këtij kanë mbetur pa u trajtuar 30 pika të rëndit të ditës.
“Në mungesë të një planifikimi adekuat, nga sesioni pranveror kanë mbetur pa u trajtuar tridhjetë (30) pika të rendit të ditës të cilat ishin në shqyrtim e sipër, ku në mesin e këtyre pikave ishin edhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimit të negociuara pa publikim të njoftimit për kontrat, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje, zgjedhja e mandatit të një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit shqiptar dhe emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore”.
Ndërkohë 12 projektligje kanë mbetur pa u miratuar.
“Pa u miratuar në këtë sesion kanë mbetur edhe dymbëdhjetë (12) projektligje, ku bën pjesë edhe Projektkodi Civil që pas Kushtetutës është ligji ma i rëndësishëm i një vendi. Ndërsa pa u votuar kanë mbetur edhe disa raporteve të institucioneve të pavarura, raporte me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe raporti për performancën e ndërmarrjeve publike për vitin 2022”, thuhet në gjetjet e IKD-së.
Sipas IKD-së, Kuvendi ka pasur probleme edhe me transparencës. Në sesionin pranveror Kuvendi ka dështuar të rregullojë çështjen e votimit elektronik në seancë plenare, “të transmetojë në kohë reale mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe të publikojë dokumentet e mbledhjeve të Komisioneve Hetimore Parlamentare”.
“Për më tepër, edhe pse është obligim nga Rregullorja e Punës, Kuvendi nuk është duke i publikuar votimet për vendimet e veta, kur votimet bëhen me ngritje të dorës”, thotë IKD-ja.
Në lidhje me aktivitet legjislative, IKD-ja ka vlerësuar se Kuvendi kishte mungesë të efikasitetit, procedoi dhe votoi ligje në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk mori parasysh vërejtjet dhe komentet e shoqërisë civile, e po ashtu të ambasadave në Kosovë.
Gjatë sesionit pranveror, më shumë se 60 për qind e projektligjeve janë përcjellë nga një seancë në tjetrën.
“Krejt kjo, si pasojë e mungesës së deputetëve të shumicës parlamentare e më pas edhe mos votimit të deputetëve të opozitës parlamentare. Në këto rrethana, IKD vlerëson se ka munguar edhe gatishmëria për t’u konsultuar partitë politike opozitare, nga partia që udhëheq me Kuvendin dhe Qeverinë që për projektligje të rëndësishme siç janë marrëveshjet ndërkombëtare të mos zvarriten, por të votohen në kohën e duhur”, ka thënë IKD-ja.
Gjatë sesionit pranveror, deri në seancën e fundit plenare në këtë sesion, Kuvendi miratoi në tërësi 36 projektligje, prej të cilave 21 të proceduara nga viti 2023 dhe 15 të proceduara në vitin 2024.