Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nesër pritet të mbahet seanca dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë, të arritur mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarit Igor Popoviq.
Popoviq, i cili ushtron funksionin e ndihmësdrejtorit në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut. Më 5 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit, për shkak të një fjalimi të mbajtur më 18 korrik në Rahovec.
Sipas PSRK-së, Popoviq akuzohet se me dashje dhe qëllim ka nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.
“Sipas aktakuzës, I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…” , thuhet në njoftim.”
Sipas Prokurorisë, me këto veprime, Popoviq ka nxitur dhe thelluar mosbesimin e ndërsjellë dhe mosdurimin etnik në Kosovë, duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve.
Po ashtu, PSRK-ja ka njoftuar se i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
“Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Seanca dëgjimore për këtë marrëveshje do të mbahet nesër në Prishtinë.