10.6 C
New York
Saturday, May 10, 2025

Buy now

Ibrahimi: Qeveria ka hap tregun për energji, por ka mbyllur ekonominë – po u vë çelësin bizneseve

- Advertisement -

Ilir Ibrahimi nga Klubi i Biznesit thotë se rritja e çmimit të energjisë elektrike në mes të vitit është shokuese për secilin biznes dhe se, në krahasim me vitin e kaluar, do të thotë se bizneseve po u vë çelësin.

Ibrahimi thotë se të gjitha bizneset janë për treg të hapur të energjisë, por që hapja e tregut në këtë moment do të thotë mbyllje e ekonomisë.

“Unë ju siguroj se rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë do të shkaktojë një kolaps ekonomik. Pastaj, kush duhet ta marrë përgjegjësinë që, duke u munduar ta hapësh tregun, po e mbyll ekonominë? Kjo temë nuk po trajtohet seriozisht nga organet kompetente – ndoshta edhe nuk kanë pritur një ngritje kaq të madhe të tarifave. Të gjithë kanë pritur që tarifat do të rriten 20-30%. Kompanitë që do të merren me furnizim të bizneseve do të varen komplet nga çmimi i importit – bursa e Hungarisë – sepse nga prodhimi vendor do të furnizohen vetëm amvisëritë. Ky vendim është marrë nga ZRRE-ja për të garantuar një furnizim me energji elektrike. Pra, bizneset do të paguajnë shumë më shtrenjtë energjinë elektrike sesa konsumatorët e amvisërisë”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka kërkuar që qeveria dhe ZRRE-ja t’u japin kohë edhe për një vit bizneseve që të dalin në treg të hapur, sepse as bizneset e as furnizuesit nuk do të mund të arrijnë që të nënshkruajnë marrëveshje deri më 1 qershor.

Përveç kësaj, sipas tij, ka edhe diskriminim mes bizneseve për shkak të kritereve të paracaktuara, ngase një pjesë e bizneseve do të preken nga rritja e tarifave e një pjesë jo.

“Ta marrim një shembull konkret: marketet që janë nëpër lagje nuk do të preken nga rritja e tarifave për bizneset, sepse jo vetëm prodhuesit i prek kjo rritje, por edhe shitësit me pakicë që janë marketet e mëdha. Rritja e tarifave për 250% për këto markete do të thotë edhe rritje të çmimit të produkteve, por kjo nuk do të ndodhë edhe te marketet e vogla dhe kështu bëhet edhe çrregullimi i tregut dhe është edhe diskriminuese”, ka shtuar Ibrahimi.

Sipas tij, me këto veprime, qeveria e vendit po e shkatërron ekonominë, derisa fare nuk po merret me këtë çështje, e cila për një vit që ta mbajë ekonominë e hapur, qeverisë do t’i kushtonte rreth 50 milionë euro, që është shumë më pak, por shumë më produktive sesa ndihma nga 100 euro që ka dhënë më herët.

Të ngjashme

Të fundit