Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se kryetarët e komunave vlerësojnë që ka diskriminim në ndarjen e buxhetit të komunave.
Ibrahimi në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se kryetarët e komunave që vijnë nga opozita theksojnë që në ndarjen buxhetore janë përdorur kritere jo objektive.
“Kryetarët e komunave vlerësojnë që ka diskriminim, në bazë të analizave që janë bërë të buxhetit të Republikës së Kosovës për këtë vit, ata theksojnë që ministritë e linjës për disa komuna po sillen si nënë, kurse për disa komuna nuk e kanë një qasje të tillë. Dhe një vrejtje e tillë është pasqyruar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin e kaluar, ku aty shkruhet që kryetarët e komunave që vijnë nga opozita, e që nga opozita vijnë shumica absolute e kryetarëve të komunave, theksojnë që në ndarjen buxhetore po përdorin kritere jo objektive. Vetëm granti i katërt është zgjidhje e këtij problemi. Kemi komuna këtë vit të cilat kanë zero investime të reja kapitale”, tha Ibrahimi për Gazeta Blic.
Tutje ai kërkon që përqindja e buxhetit të ndarë të rritet edhe më tutje.