Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Kosovës, Ibrahimi, tha se kjo situatë ka ndikuar negativisht në funksionimin e kuvendeve komunale.
“Aktualisht, 11 komuna të Kosovës ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin fiskal: Viti, Lipjan, Vushtrri, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Suharekë. Kjo situatë është reflektim i rrethanave të jashtëzakonshme, pasi vendi është në proces zgjedhor, ndërsa më 09 nëntor mbahet edhe balotazhi në disa komuna, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e kuvendeve komunale dhe procesin e miratimit të buxheteve”, shtoi Ibrahimi.
Ibrahimi tutje tha se për këtë arsye, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyerjen e afatit për vendimmarrje lidhur me buxhetet komunale, në mënyrë që komunat të kenë hapësirën e nevojshme ligjore për të përfunduar procedurat pas përfundimit të procesit zgjedhor.
“Është me rëndësi të theksohet se, edhe pse këto komuna nuk e kanë miratuar ende buxhetin, nëse ato i miratojnë buxhetet e tyre përpara se Kuvendi i Kosovës të mbajë seancën për miratimin e buxhetit të shtetit, ekziston mundësia që këto buxhete të përfshihen dhe të miratohen bashkërisht me buxhetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai për Gazetën Blic.
Ndër të tjera ai po ashtu thkesoi se “ky hap është thelbësor për të shmangur pasojat e financimit me 1/12, për të siguruar vazhdimësinë e projekteve kapitale dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët”.