Presidenca e Kosovës ka njoftuar se i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar do të vijë në Kosovë nesër.
Por më sa duket, presidenca ka bërë gabim duke ripërsëritur njoftimin e javës së shkuar, ku Escobar ishte në Prishtinë më 17 mars dhe u takua me presidenten Vjosa Osmani një ditë para takimit në Ohër.
Nga presidenca kanë kërkuar ndjesë për njoftimin e fundit, duke thënë se ka qenë një lëshim teknik.
“Të nderuar përfaqësues të mediave, ju njoftojmë se sot si rrjedhojë e një lëshimi teknik është ripërsëritur njoftimi lidhur me takimin e javës së shkuar mes Presidentes Osmani dhe zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve z. Escobar: Agjenda mediale e Presidentes Osmani për datën (17 mars 2023). Ju njoftojmë se kjo agjendë siç edhe është e cekur ka qenë për datën 17 mars, dhe se nuk është për nesër. Ju kërkojmë ndjesë për këtë lëshim dhe shpresojmë në mirëkuptimin tuaj!” – thuhet në njoftimin e presidencës.