Pasi vrau bashkëshorten e tij 17-vjeçare në mënyrë makabre, duke i prerë kokën, një i ri iranian është dënuar me 8 vite burgim.
Mësohet se gjykata në Iran vendosi të dënojë me vetëm tetë vite burg autorin, pasi prindërit e viktimës e falën atë.
Ajo çfarë ka qenë më shumë shokuese, është fakti që autori pa asnjë farë pendese ecte nëpër rrugët e qytetit me kokën e prerë të të shoqes, teksa krenohej nëpër qytet për të ashtuquajturën “vrasje nderi”.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, mësohet se viktima ishte arratisur në Turqi pasi dyshohet se ishte nënshtruar dhunës në familje nga bashkëshorti i saj, i cili kishte refuzuar kërkesat e saj për divorc.
Ajo ishte kthyer në Iran disa ditë para vrasjes së saj shkurtin e kaluar, sepse thuhet se kishte marrë garanci nga familja e saj se do të ishte e sigurt.
Vendimi për dënimin e tij është në përputhje me ligjin iranian, sipas të cilit vrasja me dashje dënohet me vdekje nëse familja e viktimës nuk e fal vrasësin.
Vrasja e tmerrshme nxiti kërkesa të reja në Iran për një ligj që synon parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave. Pati gjithashtu thirrje për rritjen e moshës minimale të martesës për fëmijët.
Aktualisht është vendosur në 13 për vajzat, megjithëse vajzat edhe më të vogla se kaq mund të martohen ligjërisht me pëlqimin gjyqësor dhe prindëror.