Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime intensive hetimore në lidhje me rastin e vrasjes së rëndë të Enver Bajraktarit nga Lipjani.
Sot, më 12 gusht 2025, në kuadër të këtyre hetimeve, është realizuar një urdhër kontrolli në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit. Si rezultat i këtij veprimi policor, është arrestuar një person i dyshuar, mashkull me inicialet T.K.
I dyshuari, pas ndalimit nga policia dhe dhënies së deklaratës së tij, ka pranuar kryerjen e veprës penale. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedurat e mëtejshme ligjore.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës theksojnë përkushtimin e tyre të plotë për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për sjelljen e autorëve para drejtësisë.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se i arrestuari është Top Kolshi nga Baica e Lipjanit, vendi ku edhe u krye krimi.