Gjatë ditë së sotme Komuna e Mitrovicës deklaroi se në orët e hershme të mëngjesit autoritetet komunale janë përballur me ndaljen e rrjedhës së ujit nëpër shtratin e lumit Ibër.
Ndaj këtij njoftimi ka reaguar Faruk Mujka, kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, i cili ditë më parë u arrestua nën dyshimet për korrupsion.
Mujka i cili arrestimin e tij e quajti politik, sot ka thënë se disa zëdhënës komunalë janë duke tentuar që të fajësojnë ndërmarrjen hidroekonomike për nivelin e ujit në liqenin akumules të Mitrovicës së Jugut.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, deklaroi se këta punëtorë komunalë janë duke u munduar të mbulojnë dështimet dhe gabimet e tyre.
“Sot përsëri po tentohet që të fajësohet “Ibër-Lepenci” për nivelin e ujit në Liqenin Akumulues, njëjtë sikur me rastin e vërshimeve në janar kur dëmet ishin milionëshe e arsyeja kryesore ishte mbyllja (e besa edhe saldimi) i portave në liqenin akumulues”.
“Sot, përkundrazi ato janë harruar të mbyllen, njëjtë si para dy muajsh kur kishim foto të njëjta. Sa për informim niveli i ujit në Çabër e Kushtovë është normal për një ditë vikendi. Kanali i Ibër-Lepencit ka sasinë normale dhe furnizon normalisht edhe fabrikat e ujit, KEK-un, Ferronikelin dhe gjithë bujqit që kanë nevojë me i ujit arrat e tyre”, ka shkruar Mujka.
Mujka ka shtuar se me këto veprim nga Komuna e Mitrovicës janë me prapavijë politike ndaj N.H. “Ibër-Lepenci”.
“Tash a ka kjo ndonjë prapavijë politike që të sulmohet Ibër-Lepenci? Mendoj që edhe zogjtë në qiell e dijnë përgjegjen”, ka thënë Mujka.
Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Faruk Mujka dhe Hysen Muzilukaj, si të pa bazuar dhe të njëjtit po mbrohen në liri.
Kryeshefi ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Mujka dhe Muzliukaj dyshohen se me dashje e kanë shfrytëzuar detyrën me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë.