Nga Kevin Liptak i CNN
Presidenti rus Vladimir Putin bëri lëshime mbi kërkesën e tij për “shkëmbime territoresh” ukrainase gjatë takimit me Presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë të premten, tha i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff për CNN.
Ai refuzoi të ofronte hollësi, por sugjeroi se Kremlini tani e sheh “shkëmbimin e tokës” të ndodhë përgjatë vijave aktuale të frontit, në vend të kufijve administrativë të të paktën disa prej pesë rajoneve që prej kohësh kanë qenë në shënjestër të Putinit.
“Rusët bënë disa lëshime në tryezë lidhur me të gjitha ato pesë rajone”, tha Witkoff, duke shtuar se çështja do të diskutohej me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij nesër në Zyrën Ovale.
“Shpresojmë që të arrijmë të depërtojmë në thelb dhe të marrim disa vendime aty për aty”, tha ai.
Ai tha se qëndrimi i Rusisë përbënte një ndryshim nga bisedimet e mëparshme, por ende jo të mjaftueshëm për një marrëveshje të plotë paqeje.
“Ishte domethënës. Dhe, kjo nuk do të thotë se është e mjaftueshme”, tha ai. “Qëllimi ishte se ne filluam të shohim një moderim në mënyrën se si ata po mendojnë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.”
Ai i tha CNN-it se përparimi i rëndësishëm i bërë gjatë takimit të së premtes me Presidentin rus Vladimir Putin e çoi Presidentin amerikan Donald Trump të hiqte dorë nga shtytja e tij për një armëpushim të menjëhershëm dhe, në vend të kësaj, të punonte drejt avancimit të një marrëveshjeje më të gjerë paqeje.
“Ne bëmë kaq shumë përparim në këtë takim lidhur me të gjitha elementet e tjera të nevojshme për një marrëveshje paqeje saqë ne, që Presidenti Trump u zhvendos në atë drejtim” tha Witkoff.
Witkoff tha se tani kishte një moment për një marrëveshje më të madhe paqeje që e bënte të panevojshëm një armëpushim të menjëhershëm.
“Ne jemi të vendosur të mundohemi të arrijmë një marrëveshje paqeje që i jep fund luftimeve në mënyrë të përhershme shumë, shumë shpejt. Më shpejt se një armëpushim”, tha ai. “Ne kaluam nëpër të gjitha llojet e çështjeve që do të duhej të diskutoheshin dhe miratoheshin gjatë një armëpushimi”.
Ai tha se rusët kishin shkuar më tej se në takimet e mëparshme në zbutjen e qëndrimeve të tyre.
“Për herë të parë, ne po shohim mirëkuptim më shumë sesa kemi parë në të kaluarën, sigurisht më shumë se sa pamë në administratën e kaluar”, tha ai. “Kjo është inkurajuese. Tani duhet të ndërtojmë mbi këtë, dhe duhet ta arrijmë një marrëveshje për ukrainasit”.