I dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, ka thënë gjatë një vizite në Arabinë Saudite se pret që lufta në Ukrainë të përfundojë brenda një viti.
Sipas tij, Rusia po ecën në rrugën drejt paqes në konfliktin me Ukrainën.
Ai theksoi se Moska nuk kërkon që konflikti i Rusisë të përshkallëzohet në një konflikt më të madh.
“Jemi të sigurt se jemi në rrugën e paqes. Dhe si paqebërës, duhet ta bëjmë këtë të ndodhë. Jemi në rrugën e duhur për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin dhe jemi në rrugën e duhur për të ditur vërtet se vetëm nëpërmjet investimeve të përbashkëta, nëpërmjet bashkëpunimit të përbashkët ekonomik, nëpërmjet fondeve sovrane të pasurisë, nëpërmjet rritjes fitimprurëse së bashku, mund të ecim vërtet përpara dhe ta bëjmë botën të sigurt. Sepse njerëzit tani janë të përqendruar në këtë konflikt rajonal që ekziston rreth Rusisë, por nuk duam që kjo të përshkallëzohet në një konflikt më të madh”, theksoi Dmitriev.






