Anëtari i PSD-së, Zgjim Hyseni, ka kritikuar aktorin Enver Petrovci pas deklaratave fyese ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Hyseni, përmes një reagimi në Facebook, tha se cilësimet përçmuese të Petrovcit shpërfaqin “bustim nostaligje” për “kohërat e arta, kur ka qenë dynjaja mbarë”.
Postimi i plotë:
Cubi, mësuesi i fshatit, bodyguardi, kokëpalari, – këta janë emra e cilësime, përshkrime përçmuese për ata që duan ta përmbysin hierarkinë, rendin natyror të gjërave ku secili e din edhe e kqyrë punën e vet. Kur i vesh njerëzit me keshtu epitete, dominimi i atyre lart, e vuajtja e atyre poshtë bëhen merita.
Feudalët jetojnë ende me titujt e mesjetës. Kurrë s’janë pajtu. Socializmi i shampanjës kur i humbi privilegjet u bë aristokraci pa kështjella. Mendja t’thotë që ky edhe është burimi i nostalgjisë për “kohërat e arta, kur ka qenë dynjaja mbarë”.
Kthehu me shekuj në histori, shetit pa fund në gjeografinë e globit, janë ca të vërteta universale që nuk ndërrojnë kurrë. Privilegjin nuk e dorëzon kurrë asnjë zotni me qef. Ai këputet e rrëmbehet dhunshëm. Jo vetëm kaq, ky quhet emancipim.