Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Zgjim Hyseni, ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit në Mitrovicë është një problem politik që nuk mund të zgjidhet ndryshe.
Hyseni ka theksuar se pavarësisht se kontrabanda në veri ka rënë, situata atje mbetet e ndërlikuar për shkak të vakumit politik.
“Tash sa i përket Urës së Ibrit, ka një problem që është i natyrës politike edhe nuk zgjidhet ndryshe,” ka thënë Hyseni në emisionin FIVE, duke shtuar se mungesa e zgjidhjes së çështjes me Serbinë është pengesa kryesore për stabilitetin në veri të Kosovës.
Ai gjithashtu ka kritikuar qasjen e qeverive ndaj kësaj çështjeje, duke potencuar se nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm për zgjidhjen e saj dhe se për sa kohë që problemi me Serbinë mbetet i pazgjidhur, veriu do të vazhdojë të jetë një “ngërç”.
Hyseni ka përmendur edhe faktin që, sipas tij, është e gabuar të akuzohen qeveritë e kaluara për korrupsion apo bashkëpunim me kriminelët si arsye për mos-hapjen e urës, duke theksuar se problemi është në thelb politik.
“Tash pse ka provu me i rrejt njerëzit me iu thënë se nuk kanë pasur vullnet e kanë qenë të korruptuar me kriminelët atje, se për ndryshe hapet ura, por pse s’po hapet tash. As nuk ka elitë të korruptuar në Prishtinë pra në emër të regjimeve të kalume, as nuk ka kontrabandë pse s’po hapet ura pra, sepse ka diçka tjetër një shtresë që është politik problemi. Veriu është ngërçi i problemit Kosovë – Serbi për sa kohë nuk e zgjidhim problemin me Serbinë nuk ka me u zgjidh veriu duhet me dit këtë punë”, ka deklaruar Hyseni.