Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se partia e saj do të mbajë qëndrimin e njëjtë edhe gjatë seancës së sotme.
Ajo theksoi se LDK nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares.
“Ne kemi qendrimin e njëjtë”, tha Bajrami për GazetaBlic.
Kujtojmë se, kandidatura e Albulena Haxhiut, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme në asnjërën nga dy votimet: në të parën Haxhiu mori 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime; në të dytën, rezultati ishte thuajse i njëjtë, 57 për, 19 kundër dhe 3 abstenime.
Nisma Socialdemokrate dhe dy deputetë të komuniteteve joserbe abstenuan, duke e pamundësuar zgjedhjen e kryetares së re.Pas dështimit të votimit, seanca u ndërpre dhe pritet të vazhdojë sot në orën 15:00, me shpresën për një marrëveshje të re politike që do t’i japë Kuvendit udhëheqësinë e nevojshme për të nisur punën.