Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve, duke kritikuar ashpër qeverisjen pesëvjeçare dhe duke theksuar nevojën për përgjegjësi politike.
Bajrami ka ironizuar fitoren e zgjedhjeve nga kundërshtarët politikë, duke thënë se ajo erdhi pavarësisht mungesës së sukseseve, përfshirjes së njerëzve nën aktakuza, korrupsionit të lartë, masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, degradimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nepotizmit institucional, shkeljeve të Kushtetutës, inflacionit dyshifror dhe asaj që ajo e quan “mafi energjetike”.
Ajo u ka kërkuar reflektim votuesve, duke theksuar se kjo është koha për të dhënë dhe marrë përgjegjësi. Në të njëjtën kohë, Bajrami ka falënderuar votuesit dhe strukturat e LDK-së për besimin dhe përkushtimin, duke vlerësuar rolin e tyre në mbajtjen gjallë dhe të fortë të partisë.
“Ambicia ime e vetme ka qenë dhe mbetet shërbimi ndaj qytetarëve, rritja e LDK-së dhe interesi i shtetit,” ka theksuar Bajrami, duke shtuar se LDK nuk do të ndalet dhe se do të rikthehet forcë e parë politike përmes punës, besimit dhe ekipit.






