Kreu i LVV, Albin Kurti, ka ftuar për një takim kryetarin e LDK Lumir Abdixhikun dhe atë të  PDK-së Memli Krasniqin.

Takimi është caktuar të mbahet nesër me 1 maj duke filluar nga ora 08:30.

“Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, ka shkruar Kurti në letër.

Por Lidhja demokratike e Kosovës dhe kësaj ardhe refuzon ftesën e Kurtit për takim.

Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë për Indeksonline se LDK ka marrë sot  ftesën e Kurtit, por as Abdixhiku dhe as askush  tjetër nga LDK-ja  nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kurti.

“Po, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti  Albin Kurti.  Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga  Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim.  Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka thënë Bajrami.