Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni planifikoi një fjalim të gjatë për 2 Korrikun 1990, kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Me shumë letra në dorë, fjalimi i Hysenit nuk zgjati aq sa pritej, pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk vendosi t’ia vazhdonte fjalën dy herë.
Hyseni e tejkaloi kohën e ndarë për fjalën e tij, ndërsa për herë të parë Konjufca urdhëroi t’i vazdhohet fjala atij.
“Strategët e politikës shoviniste dhe anti-shqiptare kishin llogaritur kot se pas masave represive dhe restriktive me dhunë, burgosje masovike e terror gjenocidial, me ndarje, përçarje e hasmëri të gjithanshme do të mund ta nënshtronin elitën përfaqësuesve dhe popullatën sipas logjikës: Nëse të ankohet fëmija jetim dhe të kërkon djathë, ka ilaç. Merrja bukën dhe fëmija jetim harron bukën”, po thoshte Hyseni ndër tjerash.
Koha i kaloi përsëri. Konjufca s’ia vazhdoi më.
“Z. Hyseni a ka mundësi që… E keni fjalën shumë të gjatë? Po, lirisht dorëzojeni me shkrim. Faleminderit shumë! Mund ta dorëzoni edhe me shkrim fjalën… Ishte pra edhe një homazh për këtë ngjarje shumë të rëndësishme, 2 korrikun”, i tha Konjufca.
Deputeti Hydajet Hyseni u pajtua dhe u largua nga foltorja e Kuvendit.