Lëvizja Vetëvendosje dje ka publikuar një video, ku paraqet një komunikim me CHAT GPT. Në komunikim me “robotin” partia nw pushtet tenton të ironizoi me opozitën, e cila po e kundërshton Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë.
Një veprim të tillë të partisë në pushtet, opozita e ka cilësuar si skandaloz.
Zyrtarët e dy partive opozitare janë tallur me videon në fjalë.
E pra që ka reaguar ndaj kësaj video ka qenë deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
“Çfarë huqje spektakolare! Lëvizja Vetëvendosje e paska publikuar një komunikim me CHAT GPT. Derisa po pretendon se e “kalli lojën” sepse përgjigjet kinse janë në favor të tyre, në fakt në fotot bashkangjitur, e shihni që në VET postimin e tyre janë arsyet pse këta e shkelin Kushtetutën. 1. Ndërhyrja në pronë private; 2. Ndërhyrja në të drejtat tjera individuale; 3. Ndërhyrja në ekonomi; 4. Shfrytëzimi i “reformave” për sulme politike e jo për reformim të sinqertë; 5. Risqet që sistemi përfundon duke ndëshkuar kundërshtarët por jo duke luftuar korrupsionin = prekja e shtyllave të demokracisë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Me pas, ajo i ka rekomanduar VV-së se çka duhet ta pyesin CHAT GPT-në.
“Që thonë “mos e vet se t’kallxon vet”! Ndoshta i bie më mirë ta pyesin CHAT GPT: “Çka është Kushtetuta?” “Kur do të ndalet VV së gënjyeri qytetarët se i ka reformat në drejtësi për së vërteti?” “Pse po insiston VV në shkelje të Kushtetututës?” “Si po i keqpërdorë VV tentativat për reformim të drejtësisë që të shtrij kontrollin mbi sistemin e drejtësisë”, Dhe më e rëndësishmja: “Kur do të ndalet VV së llogarituri që njerëzit hanë bar?”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
Ndaj videos së VV-së ka reaguar edhe Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo ka vlerësuar se partia në pushtet duhet të turpërohet me veprimet e saj.
“Chat GPT, gjeje një parti në Kosovë, që është lidere në shkelje serike të Kushtetutës, lidere në stagnim të zhvillimit ekonomik, lidere në izolim ndërkombëtar të Kosovës, dhe lidere në polarizim e shoqërisë. Qysh more spo ju vjen bile pak marre. Qe 4 vite në pushtet, kanë administruar 12 miliardë euro. E tani, në fushatë, ata do të duhej të hynin me punë e rezultate, e jo me akuza boshe për opozitën. 0 investime kapitale. 0 projekte zhvillimore. 0 suksese. Dembelëve e të paditurve gjithmonë të tjerët ju kanë faj”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
Dje, pasi PDK-ja ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, VV-ja ka lansuar një video, ku paraqitet një komunikim me CHAT GPT. Ky i fundit, në video pyetet se pse opozita nuk po e përkrah Ligjin në fjalë.
“Jo veç populli, po edhe ChatGPT e di sikletin e opozitës”, është shkruar në postimin e VV-së.