5.1 C
New York
Sunday, January 11, 2026

Buy now

Humbja politike është moment prove, jo vetëm për partinë, por për karakterin e udhëheqësit

- Advertisement -

Shkruan: Ismet Mulaj

Lumir,

Humbja politike është moment prove, jo vetëm për partinë, por për karakterin e udhëheqësit. Aty ndahet përgjegjësia nga justifikimi, reflektimi nga arsyetimi i gatshëm. Dhe pikërisht këtu po çalon mënyra se si po e trajton LDK-në pas humbjes.

Ka diçka thellësisht jopolitike – madje antifilozofike – në nevojën për ta gjetur fajin gjithmonë jashtë vetes. Te “të tjerët”, te armiqtë, te mercenarët, te rrethanat, te koha e padrejtë. Është më e lehtë ta ndërtosh një narrativë rreth rrethimit sesa ta bësh një autopsi të ndershme të vetes. Por politika serioze nuk ndërtohet mbi alibi.

LDK nuk humbi sepse u sulmua. Partitë nuk bien nga zhurma, por nga heshtja e brendshme. Humbja ndodh kur njerëzit nuk ndihen më të përfshirë, kur anëtarësia nuk e sheh më veten në pasqyrën e lidershipit, kur mesazhi bëhet korrekt, por jo bindës; i pastër, por jo i gjallë.

Kur çdo kritikë etiketohet si komplot, çdo zë ndryshe si shërbëtor i dikujt tjetër, atëherë lidershipi fillon të mbrohet, jo të udhëheqë. Dhe një parti që mbrohet vazhdimisht, e humb aftësinë për të ecur përpara. Faji kolektiv pa përgjegjësi individuale është mënyra më e sigurt për ta ngrirë partinë në vend.

Filozofia politike na mëson se pushteti nuk është justifikim, por barrë. Humbja nuk është padrejtësi, por mesazh. Pyetja nuk është “kush na e bëri?”, por “çfarë nuk kuptuam?”. Jo “pse nuk na votuan?”, por “pse nuk u bëmë të domosdoshëm?”.

LDK ka mbijetuar dekada jo sepse gjithmonë ka fituar, por sepse ka ditur të reflektojë. Ka ditur të heshtë, të mendojë dhe të ndryshojë. Sot i duhet pikërisht kjo: më pak armiq imagjinarë dhe më shumë ndershmëri me veten.

Sepse përgjegjësia nuk e dobëson lidershipin. E legjitimon. Dhe vetëm një lidership që pranon barrën e humbjes, ka të drejtën morale të kërkojë besimin për fitoren tjetër.

Të ngjashme

Të fundit