13.8 C
New York
Wednesday, October 22, 2025

Buy now

Humbja e PDK-së në Drenas, a duhet të japë dorëheqje, Memli Krasniqi?

- Advertisement -

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, komuna e Drenasit, u shoqërua nga një garë e tensionuar dhe replika ndërmjet akterëve të lartë të PDK-së dhe Ramiz Lladrovcit pasi ky i fundit nuk u kandidua për të konkuruar për kryetar komune nën siglen e kësaj partie.

Lladrovci me subjektin “Për Drenasin Kampion” arriti të fitojë bindshëm në zgjedhjet lokale duke e rimarrë kreun e komunës së Drenasit pa balotazh.

Pasi këtij rezultati, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se rezultati në Drenas ka qenë një prej zhgënjimeve të zgjedhjeve lokale, duke theksuar se humbja erdhi si pasojë e ndarjes në dysh të votës brenda elektoratit të PDK-së dhe transferit të votave nga partitë e tjera, veçanërisht nga Vetëvendosje.

Pas fitores, Lladrovci, u vendos në zyrat e Partisë Demokratike, në kete qytet ku deklaroi se Memli Krasniqi duhet të japë dorëheqjen.

“E drejtë morale e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qenë të jap dorëheqje” deklaroi Lladrovci.

Në lidhje me deklaratat e Krasniqit se Lladrovci fitoi edhe me ndihmën e votave të LVV-së, pati një reagim të ashpër nga vetë radhët e PDK-së ku madje u kërkua edhe dorëheqja e tij.

Deputeti i kësaj partie, Nait Hasani, tha se fitorja e Lladrovcit është meritë e qytetarëve të Drenasit dhe e elektoratit tradicional të PDK-së.

“Partia Demokratike ka bërë gabimin fillimisht që nuk e kandidoi Ramiz Lladrovcin për kryetar, pavarësisht rrethanave politike. Lladrovci ka shfrytëzuar të drejtën për ta gjetur elektoratin e PDK-së dhe për ta formuar iniciativën, e cila është pjesë e strukturës së PDK-së. Prandaj, fitorja e tij tregon suksesin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Drenasit në mbrojtje të vlerave të tyre”, deklaroi Hasani për Tëvë1.

Hasani madje kërkoi edhe dorëheqjen e Memli Krasniqit dhe drejtuesve të tjerë të PDK-së në Drenicë.

“Në politikë ka moral. Nëse Memli dhe të tjerët kanë moral, bashkë me deputetët në Drenicë që i ka mundur Ramizi, duhet të japin dorëheqje. S’kanë më fytyrë të qëndrojnë aty” deklaroi ai raporton “Gazeta Blic”.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend komentuan deklarimet për dorëheqjen e kryetarit të PDK-së, Krasniqi, dhe marrjen e përgjegjësive pas rezultatit në Drenas.

Analisti politike, Avni Arifi, tha se mos-kandidimi i Lladrovcit ishte një gabim qe i ka kushtu PDK-së në krejt Kosovën.

Arifi potencoi se ky vendim nuk është përgjegjësi vetëm e Memli Krasnqit por e gjithë Kryesisë.

“PDK me Drenasin e ka befasu Kosoven kur nuk e rikandidoj njeriun fitues Ramiz Lladrovcin. Per mua kanë qenë dy befasi…një që e futën në garë të brendshme dhe dy kur mora vesh se vetem 4 anëtar të Kryesise votuan pro Ramizit. Kjo diskrepancë mes Kryesisë qendrore dhe vullnetit elektoral ka hap shumë dilema në PDK. Konsideroj se nuk është përgjegjesi vetëm e Memlit po e krejt Kryesisë sepse ishte një gabim qe i ka kushtu krejt PDK-së në krejt Kosoven. Ky vetdëmtim kerkon kohë dhe dialog të brendshem qe te rikuperohet” tha Arifi për “Gazeta Blic”.

Analistja politike, Afërdita Maliqi, tha për “Gazeta Blic” se Memli Krasniqi e mori udhëheqjen e partisë në momentet më të vështira të saj por se ngjarjet e fundit në Kuvend, votimi i Dimal Bashës, dhe humbja e bastionit në Drenas ka ngjallur zera brenda PDK për ndryshime brenda partisë ose reformë.

Maliqi tha se në kete rast ka vend për përgjegjësi dhe reflektim.

“Memli Krasniqi e ka marrë udhëheqjen e PDK në kohët më të vështira të saj. Ka qenë guxim me marrë udhëheqjen e saj, pas dy dekadave, që ishte udhëheq nga njerzit më të fortë dhe më me ndikim Thaçit e Veselit. Pavarësisht, situatës jo të mirë, frymës së VV, megjithatë PDK e kishte ruajtur trashëgiminë dhe vazhdon te jete force kryesore në vend”

“Ngjarjet e fundit edhe ne Kuvend, kur votuan Dimal Bashën, e sidomos humbja e bastionit në Drenas, ka ngjallur zera brenda PDK për ndryshime brenda partisë ose reformë. Mendoj se mosmenaxhimi i mirë i situatës në Drenas dhe fitorja e Ramiz Lladrovci i vetëm kundër të gjithëve, kryetarit të Drenasit, që partia deri dje ishte krenuar me te, sigurisht ka ngjalle pakenaqesi vete brenda PDK. Dhe ne kete rast, normal qe ka vend per reflektim dhe pergjegjesi” deklaroi njohësja e zhvillimeve politike, Afërdita Maliqi, në intervistën e dhënë për Blic.

Të ngjashme

Të fundit