Kreu i PD, Sali Berisha ka dalë për herë të parë me një dekaratë për mediat pas humbjes së thellë të opozitës në zgjedhjet e 14 Majit. Berisha hodhi akuza për blerje votash, duke folur më saktësisht për një industri të vjedhjes së votës ndërsa tha se dënon me forcë këtë farsë elektorale.
“Industria e tmershme e blerjes së votës, bota e krimit dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi votën e shqiparëve. Janë të panumërta aktet, veprimet që dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agoninë për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale e karakterizuar nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner. Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje për të gjithë përfaqësuesit e opozitës në komisionet e numërimit të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, mbasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë. Dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisioneri për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki si në shumicën e bashkive të vendit.-tha Berisha, ndërsa pritet që sërish të bëjë një tjetër dalje për mediat gjatë orëve në vazhdim.
Po ashtu edhe Ilir Meta ka thyer heshtjen, përmes një postimi në Facebook, edhe ai palë me opozitën humbëse të këtyre zgjedhjeve, teksa kolacioni “Bashkë Fitojmë” me Sali Berishën nuk mori rezultatet e pritshme. Në të njëjtën gjuhë me aleatin e tij në opozitë, Sali Berisha, edhe Meta i konsideron këto zgjedhje si narkozgjedhje të narkoshtetit.
“Narkozgjedhjet e narkoshtetit!
Zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri u asgjësuan që pa filluar.
Duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke hequr komisionerët dhe numëruesit e opozitës. Duke përdorur tatimorët për presion ndaj çdo biznesi, duke kërcënuar votuesit e opozitës me gojën e kryeministrit, për pasojat që do të kishin nëse votonin për opozitën.
Por zgjedhjet u asgjësuan edhe ditën e zgjedhjeve, me zhbërjen e elementit themelor të sigurisë në zgjedhje, që ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve, duke i kthyer qendrat e votimit në vende ku u dhunua hapur ligji dhe ku u ushtrua presion i pashembullt duke u mbushur me qindra drejtorë ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë bashkie, administratorë komunash e nëpunësa gjithfarësh, përfshirë dhe policë e banditë.
E gjithë kjo me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe te narkotrafikantëve, që fatkeqësisht u bënë njësh me Policinë e Shtetit.
Shqiptarët dhanë një mesazh shumë të rëndësishëm guximi duke marrë pjesë ne këto zgjedhje dhe duke u përballur me presionin mafioz të narkoshtetit.
Narkozgjedhjet i nxorrën në shesh hapur të gjithë narkomanipuluesit e qeverisë, të cilët janë të evidentuar me emër dhe mbiemër.
Çdo veprim i tyre është evidentuar dhe mijëra fakte rëndojnë mbi ta. Euro humbi 10% të vlerës, aq shumë është përdorur ajo për të influencuar votuesit.
Populli shqiptar është shumë më i madh se sa narkoqeveria dhe Demokracia e Ndryshimi që ai meriton, është i pashmangshëm.
Asnjë narkozgjedhje nuk mund të mbajë peng lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.” – tha Meta në deklaratën e tij.