Rreth 50 turistë prej Izraelit, që kanë qenë duke qëndruar në Sarajevë, kanë raportuar se u kanë humbur pasaportat, kanë konfirmuar autoritetet e Bosnje-Hercegovinës në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Zharko Laketa, drejtor i Shërbimit për Çështje të Jashtme të Bosnjës, ka thënë se është duke u punuar për zgjidhje të problemit dhe që turistëve izraelitë do t’iu lëshohen dokumente udhëtimi.
Në një paraqitje publike të mëvonshme, ai e ka konfirmuar se ka informacion që “pasaportat janë hedhur si pasojë e një aksidenti”.
Disa media izraelite kanë raportuar se 47 turistë izraelitë kanë mbetur të “bllokuar” në Bosnje-Hercegovinë dhe që, sipas tyre, pasaportat u janë hedhur “aksidentalisht në koshin e mbeturinave të një hoteli”.
Policia në Sarajevë është e informuar për rastin, mirëpo nuk ka ofruar më shumë hollësi.
Ajo nuk i ka kthyer përgjigje Radios Evropa e Lirë se në cilin hotel janë turistët.
Sipas mediave izraelite, grupi i turistëve supozohej të kthehej nga Bosnja të shtunën, mirëpo nuk ka arritur të udhëtojë në mungesë të pasaportave. /REL