Michele Picard, kryetare e trupit gjykues në Gjykatën e Apelit të Speciales, në rastin e Pjetër Shalës, ka hedhur poshtë një mocion të tij për të thirrur si dëshmitar të mbrojtjes në Apel, Sokol Dobrunën.
Në vendimin e marrë më 28 mars 2025, Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, më 16 janar 2025, mbrojtja e Pjetër Shalës e përfaqësuar nga avokati Jean-Louis Gilissen, kishte kërkuar që të thirret Sokol Dobruna për të dhënë dëshmi para Apelit, si dhe për të paraqitur transkriptet dhe shënimet që lidhen me të në raste të tjera.
“Mbrojtja kërkon leje për të thirrur dëshmitarin W04264, [REDAKTUAR], si dëshmitar mbrojtës dhe që provat e propozuara të pranohen, pasi ato plotësojnë kërkesat e Rregullave 181 dhe 138 të Rregullave. Provat e propozuara plotësojnë kërkesat përkatëse, konkretisht ato: (i) janë relevante për procedurat; (ii) janë, në parim, të besueshme dhe përmbajnë mjaftueshëm shenja të autenticitetit; dhe (iii) kanë vlerë provuese që nuk është e zëvendësuar nga efekti i saj dëmtues”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.
Sipas mbrojtjes, këto prova nuk ishin të disponueshme gjatë gjykimit dhe ato janë zbuluar me vonesë nga Prokuroria.
Veç kësaj, ata kanë pretenduar se provat e propozuara janë relevante për rastin e tyre dhe janë të rëndësishme për pretendimet lidhur me “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, në të cilën Shala pretendohet se ka marrë pjesë.
Po ashtu, sipas mbrojtjes, dëshmia e Dobrunës së bashku me materialet mbështetëse është relevante për minimin e besueshmërisë së njërit prej dëshmitarëve kyç që Prokuroria e ka pasur në këtë rast.
“Në gjykimin e Gjykatës, Paneli i Gjykatës ka gjetur se [REDAKTUAR] ishte një anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përfshirë me të burgosurit në Fabrikën e Metaleve të Kukësit, bazuar në provat e [REDAKTUAR]. Kështu, Paneli i Gjykatës u mbështet në provat e [REDAKTUAR] që [REDAKTUAR], të cilin ai e kishte përshkruar si [REDAKTUAR], e kishte pyetur atë ndërkohë që ishte i ndaluar në FMK. Paneli i Gjykatës mbajti se [REDAKTUAR] kishte marrë pjesë në intervistimin e të burgosurve në FMK dhe në vendosjen dhe ruajtjen e kushteve të ndalimit në FMK”, thuhet në mocion.
Sipas mbrojtjes, dëshmitari i Prokurorisë ishte i vetmi që e përmendi faktin që ai ka qenë i burgosur në Fabrikën e Metalit në Kukës (FMK). Si rrjedhojë, ata thonë se dëshmia e tij akuzuese ishte vendimtare për dënimin ndaj Shalës dhe si e tillë, dëshmia e Dobrunës do ta minimizonte atë.
“[REDAKTUAR] përmendi se kishte parë [REDAKTUAR] në disa raste në Kukës; megjithatë, provat e [REDAKTUAR] tregojnë se që nga 5 prilli 1999, ai ishte i vendosur në [REDAKTUAR]. Ai asnjëherë nuk përmendi Kukësin në asnjë nga deklaratat e tij. Në deklaratat e tij, [REDAKTUAR] ofroi prova të qarta dhe të drejta, përfshirë informacione potencialisht akuzuese, siç ishte fakti që kishte parë dy të burgosur serbë në [REDAKTUAR], ku një prej ushtarëve ishte i vdekur dhe tjetri ishte rrahur. Për më tepër, [REDAKTUAR] pranoi se kishte vizituar rregullisht burgun [REDAKTUAR]. Nuk ka asnjë arsye që [REDAKTUAR] të ishte i hapur dhe i sinqertë për burgun në [REDAKTUAR]”, thuhet më tej në mocionin e mbrojtjes.
Mbrojtja e quan të rëndësishme dëshminë e Sokol Dobrunës për vlerësimin e pranisë dhe pjesëmarrjes së Shalës në krimet e pretenduara në Fabrikën e Metalit në Kukës.
“Provat e propozuara e kundërshtojnë drejtpërdrejt dëshminë e [REDAKTUAR] dhe ngritin dyshime në lidhje me besueshmërinë e dëshmitarit, dëshmia e të cilit, siç ka ngritur mbrojtja në përmbledhjen përfundimtare të Gjykatës, tregon një model të qartë të sajesave dhe është e pasigurt”, thuhet në mocion.
Si rrjedhojë, mbrojtja ka kërkuar nga Apeli që të miratojë kërkesën e mbrojtjes për ta thirrur Sokol Dobrunën si dëshmitar i mbrojtjes në Apel dhe të pranojë provat e propozuara.
Ndërsa, ZPS-ja ishte përgjigjur që kërkesa e mbrojtjes duhet të refuzohet pasi ka pohime kontradiktore lidhur me vlerën provuese të provave të propozuara.
Sipas ZPS-së, njëherë mbrojtja thotë se provat tregojnë që Dobruna nuk ka qenë fizikisht i pranishëm në Fabrikën e Metalit në Kukës siç ka pretenduar dëshmitari i Prokurorisë në këtë rast, e në anën tjetër thotë se Dobruna mund të ofrojë prova që tregojnë zbatimin e garancive procedurale të ofruara për të burgosurit në Fabrikën e Metalit.
ZPS-ja argumentoi se provat që ka propozuar mbrojtja nuk ndikojnë në gjetjet e panelit lidhur me ndalimin arbitrar në Uzinën e Metalit në Kukës. Veç kësaj, ata kanë thënë se Dobruna nuk e dëmton kredibilitetin e dëshmitarit W04733.
ZPS-ja thotë se provat e propozuara nuk ndikojnë në ndonjë vendim lidhur me fajësinë Shalës pasi sipas tyre, prania e të akuzuarit në FMK është vërtetuar edhe nga dëshmitarë të tjerë.
“Përfundimisht, ZPS argumenton se Shala ka dështuar të tregojë se thirrja e W04264 si dëshmitar është e nevojshme për të shmangur një padrejtësi në drejtësi”, thuhet në vendimin lidhur me mocionin e mbrojtjes së Shalës.
Në vendimin e Apelit, theksohet se nuk është konstatuar se ZPS-ja i ka pasur provat në posedim dhe i ka bërë publike ato pasi ka përfunduar gjykimi.
“Në dritën e mësipërme, Paneli gjen se Shala dështon të dëshmojë se intervista e ZPS [REDAKTUAR] nuk ishte e disponueshme gjatë gjykimit”, thuhet në vendim.
Veç kësaj, Paneli pajtohet më argumentin e Prokurorisë që argumentet e mbrojtjes janë kontradiktore lidhur me ndikimin që kanë provat e propozuara.
Gjithashtu, Paneli ka vlerësuar se provat e propozuara nga mbrojtja nuk ndikojnë në gjetjet e gjykatës lidhur me pjesëmarrjen dhe kontributin e Shalës në atë që përmendet si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Paneli i gjyqit gjithashtu gjeti se W04733 e pa Shalën duke lënë ambientet e FMK-së përmes portës dhe duke u kthyer disa minuta më vonë me makinë bashkë me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën. Paneli i gjyqit gjeti se [REDAKTUAR]. Paneli i gjyqit arriti në përfundimet se W04733 nuk u paraqit përpara një gjykatësi ose autoriteti të kompetent dhe se nuk iu dha mundësia të sfidonte ligjshmërinë e arrestimit të tij”, thuhet në vendim.
Shala përmes mbrojtjes së tij kishte pretenduar se dëshmia e Sokol Dobrunës kundërshton dëshminë e dëshmitarit të Prokurorisë W04733, i cili kishte thënë se ishte akuzuar si “komandant serb”. Ky konstatim i mbrojtjes kishte ardhur me arsyetimin se Dobruna kishe thënë se nuk ka gjykuar asnjë rast bashkëpunimi.
Lidhur me këtë, Paneli ka gjetur se Dobruna ka treguar se rastet e pretenduara të bashkëpunimit do të binin në jurisdiksionin e tij, por që ai nuk i kujton ato. Veç kësaj, vendimi thotë se Dobruna kishte thënë se mendon që ka pasur bashkëpunëtorë, por që ato raste s’i erdhën atij.
Paneli theksoi se mbrojtja e Shalës harroi të përmend faktin që Dobruna në dëshmitë e tij të mëhershme ka folur për një rast që ai ka trajtuar me dy vëllezër të akuzuar për bashkëpunim me serbët dhe që kishte dëgjuar se Fatmir Limaj i kishte liruar ata pasi ai ishte kreu i Policisë Ushtarake dhe e kishte fuqinë që ta bënte një gjë të tillë.
“Po ashtu, në mendimin e Panelit, nëse W04733 e pa ose jo W04264 në FMK nuk mund të ketë ndikuar në asnjë gjetje lidhur me krimet për të cilat Shala u dënua. Në fakt, Paneli gjen se as prania e W04264 në FMK, asnjë nga gjetjet e Panelit të Themelores për W04264, nuk ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në përfundimin e Panelit të Themelores për përgjegjësinë penale të Shalës dhe dënimet e tij për arrestim arbitrar dhe tortura, të cilat bazohen në pjesëmarrjen e tij në një NPK”, thuhet në vendim.
Duke u përmendur 28 dhe 29 maji i 1999-ës dhe prania e Shalës në Uzinën e Metalit, Paneli i Apelit thekson se Themelorja nuk i ka dhënë rëndësi këtyre datave por atyre rreth 20 majit dhe 4 qershorit 1999, kur thuhet se Shala ishte personalisht i përfshirë në keqtrajtimin e të arrestuarve.
“Paneli i Apelit gjen se prova e propozuar nuk do të kishte pasur ndikim në gjetjet e Panelit të Themelores mbi besueshmërinë e W04733 nëse do të ishte paraqitur në gjykatë”, thuhet në atë vendim.
Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.
Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.
Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ndërsa, aktualisht Shala është në proces të Apelit lidhur me këtë rast pasi që ka kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë