24.1 C
New York
Sunday, April 20, 2025

Buy now

Hudhet poshtë ankesa e Veselit dhe Krasniqit lidhur me përdorimin e një dëshmie që ZPS-ja tha se s’do të mbështetet në të

- Advertisement -

Apeli i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka hedhur poshtë një ankesë të Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit ndaj trupit gjykues në rastin ndaj tyre, lidhur me përdorimin e një dëshmie gjatë pyetjeve gjyqësore, e për të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte deklaruar se nuk do të mbështetet në të.

Sipas zëdhënësit të DhSK-së, Michael Doyle, vendimi ishte marrë më 11 prill dhe palët ishin urdhëruar që të dorëzojnë versionet e redaktuara publike të parashtrimeve të tyre përkatëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai tha se mbrojtja ishte shprehur se ishte dëmtuar në këtë rast, por që Apeli kishte konstatuar se ata tashmë e kishin pasur deklaratën e atij dëshmitari dhe rrjedhimisht ishin në dijeni për përmbajtjen e saj.

“Mbrojtja pretendoi se ishte dëmtuar, për shkak se kur Trupi Gjykues mori në pyetje një dëshmitar, ai iu referua një deklarate të dëshmitarit në të cilën Prokuroria kishte deklaruar se nuk do të mbështetej më gjatë gjykimit. Paneli i Apelit i kujtoi mbrojtjes se ajo e kishte deklaratën e dëshmitarit në fjalë dhe rrjedhimisht e ishte njohur me të plotësisht”, tha ai.

Doyle shtoi se Apeli ka theksuar se trupit gjykues i lejohet që t’iu bëjë pyetje dëshmitarëve çfarëdo që i gjykon të nevojshme për qartësimin e dëshmive të tyre, por me kushtin që të mos krijojë perceptimin për njëanshmëri.

“Paneli i Apelit konstatoi se transkripti i seancës në fjalë tregon qartë se trupi gjykues bëri pyetje në lidhje me besueshmërinë e dëshmitarit që dha dëshmi, çka nuk i shkaktoi dëm mbrojtjes”, tha ai.

Zëdhënësi tregoi se më 15 prill, Prokuroria zyrtarisht ka përfunduar çështjen e saj në këtë rast dhe një ditë pas ekipet e mbrojtjes kanë njoftuar se synojnë që të dorëzojnë kërkesë për rrëzimin e akuzave në aktakuzë.

Veç kësaj, Doyle theksoi se Specialja ka vazhduar paraburgimin për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Ndërsa në rastin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit lidhur me administrimin e drejtësisë, Doyle tregoi se është shtuar forma e përgjegjësisë ndaj Thaçit për ‘nxitje’ dhe si rrjedhojë versionin e ri të aktakuzës, ZPS-ja e ka dorëzuar më 16 prill 2025 ashtu siç ishte urdhëruar.

Në anën tjetër, Doyle tha se në të njëjtin rast është miratuar një kërkesë e Prokurorisë që të nxirren për mbrojtjen dy materiale shtesë që synojnë t’i përdorin në gjykim.

Ndërsa, për vendimin për moslirimin e përkohshëm të Haxhi Shalës, Doyle tha se gjyqtarja nuk ka vërtetuar lidhje të ngushtë të Shalës me personin e përmendur në kërkesë dhe as nuk ka dorëzuar ndonjë raport mjekësor që e shpjegon gjendjen e tij.

“Për këtë arsye, ajo konstatoi se zoti Shala nuk vërtetoi ekzistencën e arsyeve humanitare bindëse dhe të jashtëzakonshme që përligjin lirimin e përkohshëm”, tha Doyle.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Të ngjashme

Të fundit