Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, duke hudhur aktakuzën dhe pushuar procedurën penale për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
Kurse, për pikat tjera të aktakuzës janë rikualifikuar veprat penale në një vepër penale në vazhdim “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro, raporton Betimi për Drejtësi.
Përmes aktvendimit të 23 prillit 2025, Themelorja ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtësit të Krasniqit, avokatit Virtyt Ibrahimaga, duke hudhur pikën VI të aktakuzës së Prokurorisë Speciale dhe pushoi procedurën për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
Në këtë pikë, Krasniqi akuzohej se ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK, duke i ndarë me personin jozyrtar- Dejona Mihalin.