Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, i ka bërë thirrje Ukrainës që të hulumtojë secilin krim të supozuar të luftës që mund të kenë kryer trupat e saj, pas raportimeve të paverifikuara se ushtarët ukrainas kanë torturuar trupat e zëna ruse prej kur Moska ka nisur sulmin ndaj fqinjës së saj.
Në disa video të publikuara më 27 mars, duken ato që shihen si forca ukrainase duke abuzuar luftëtarët e zënë rusë, të cilët kanë statusin e të burgosurve të luftës, duke përfshirë edhe të shtëna me armë zjarri ndaj tre ushtarëve në këmbë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka thënë të nesërmen se Kievi i ka parë supozimet me “shumë seriozitet” dhe do të bëjë hetime.
“Nëse konfirmohen, rrahjet dhe të shtënat me armë zjarri ndaj luftëtarëve të zënë, përbëjnë krime lufte dhe Ukraina duhet të tregojë se mundet dhe ka gatishmëri për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka thënë Human Rights Watch përmes një deklarate të lëshuar më 1 prill.
Kjo Organizatë ka paralajmëruar më parë Rusinë se veprimet që ka kryer mund të konsiderohen krime lufte, duke përfshirë sulmet ajrore në teatrin e qytetit të Mariupolit.
Autoritetet ukrainase kanë thënë se aty kanë qenë duke u strehuar civilë, dhe rreth 300 prej tyre dyshohet të kenë vdekur si pasojë e sulmeve.