Musliu, në emisionin “Five”, ka thënë se gjuha e hoxhës Mazllam ishte e papranueshme, duke shtuar se në parajsë nuk mund të shkosh duke e fyer flamurin.
Tutje, ai tha se as kërkim falja nuk e përmirëson gabimin e bërë nga z.Mazllami.
“Me flamur nuk shkohet në xhenet, shkohet me respektimin e flamurit, nuk shkohet në xhenet duke e sha flamurin. Ka kërku falje hoxha, ishalla s’e ka pas përnime, por vetëm të dalë kjo fjalë, të kërkosh falje nuk çon peshë”, ka thënë ai.
Musliu, gjithashtu, foli për tolerancën fetare në kulturen shqiptare, duke pasur një kritike për klerikët që nuk e pelqejnë flamurin shqiptar.
“Mirë e ka pas thanë një hoxhë, flamuri është këmishë e gjithë kombit, nuk duhet ta prekë askush. Ai është i të gjithëve, i muslimanëve, i krishterëve, ortodoksëve, të gjithëve. Përderisa nuk e sheh si pjesë të veten le te veshë një flamur tjetër që i pëlqen. Mendoj që flamuri i Arabisë Saudite, nuk është flamur i Islamit”, ka thënë ai.
Çka tha Mazllam Mazllami?
Një javë më parë, hoxha Mazllam Mazllami u komentua shumë, pasi ishte publikuar një video e tij në Tiktok, teksa ai foli më përbuzje për flamurin shqiptar.
“Kjo është harrën, leckë, bezë,” – thotë z. Mazllami derisa kap flamurin kombëtar shqiptar me duar.
“Na nuk adhurojmë shqiponja, nuk adhurojmë zogj!” – dëgjohet derisa shton ai. Mazllami po ashtu shprehet se edhe po të mos vendosej flamuri kuq-e-zi për 28 nëntor “nuk do të bëhej kijameti”.
Në këtë video, ai kishte komente edhe për dëshmorët duke folur në mënyrë mjaft të rëndë.
“Shehid nuk bihet qysh po thotë dikushi… plot shehida jemi ba. U mushë Kosova dëshmorë.” – nis komentin e tij z. Mazllami.
Por, që më pas, z. Mazllami kërkoi falje publike ndaj të gjithëve që mund ta kenë keqkuptuar videon, dhe theksoi se nuk ka pasur në asnjë moment për qëllim ta përçmojë flamurin.
“Ka një keqkuptim, flamuri është një beze, nuk ishte qëllimi për të përdhosur flamurin, është gabim të më keqkuptoni. Nëse kam gabuar për termin leckë, publikisht kërkoj falje nëse është keqkuptuar, ndërsa si është shkruar bezë, për të treguar materialin. Qëllimi nuk është për nënçmim të flamurit. Unë vetë jam veteran i UÇK-së, të njëjtin flamur e kam pasur pranë vetes”, tha hoxha për Euronews Albania.