Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se nëse qytetarët e Kosovës kanë menduar në vitin 2019 e 2021 se ndryshimi vjen me Albin Kurtin, do të duhej që ta korrigjojnë atë.
Hoxhaj tha se nëse në vitin 2024 njerëzit duan ta shohin Kosovën të kthyer në binarë, do të duhej ta shohin adresë politike PDK-në.
“Ajo çka ka ndodhur më 2021 dhe më 2019, nëse qytetarët kanë menduar se me Albin Kurtin vjen ndryshimi, dhe ndryshimi nuk është për të mirë por është për të keq, mendoj se do duhej ta korrigjojnë. Do të duhej ta rishikojnë, do të duhej t’i mbështesnin partitë politike që në fund të ditës e kanë çliruar dhe themeluar këtë vend, që Kosova të rikthehet në binarë”.
“Por në vitin 2024, nëse njerëzit duan ta shohin këtë vend të kthyer në binarë, do të duhej ta shohin adresë politike PDK-në e edhe subjektet tjera në opozitë, me qëllim që ta bëjmë ndryshimin i cili është i domosdoshëm në vend” , tha Hoxhaj në intervistë në “Info Magazine”.
Kurse, për sa i përket zgjedhjeve të reja, Hoxhaj tha se PDK-ja është gati për to dhe kurdo që të ketë dakordim për shërbërje të kuvendit, ata janë gati.