Nga Kongresi Amerikan, ish-ministri i jashtëm i Kosovës,Enver Hoxhaj ka dërguar një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë “koha për anëtarësimin e Kosovës në NATO është tani.”
Duke rikujtuar rolin vendimtar të Presidentit Donald Trump në forcimin e sigurisë euroatlantike përmes mbështetjes së anëtarësimit të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO, Hoxhaj theksoi se viti 2026 duhet të jetë momenti kur Kosova merr hapin vendimtar, nënshkrimin e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP).
“Presidenti Trump, gjatë mandatit të tij të parë, e ndryshoi hartën e sigurisë së rajonit duke mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO. Dhe unë besoj se në vitin 2026 është koha që të mbështetet Kosova për t’u anëtarësuar në NATO. Por, për ta arritur këtë, hapi i parë është nënshkrimi i Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP). Prandaj, po kërkoj mbështetjen tuaj për ta bërë këtë hap të parë.”, ka thënë Hoxhaj në fjalimin e tij.
Hoxhaj paralajmëroi se Ballkani Perëndimor nuk është më një çështje e pazgjidhur politike, por një dilemë serioze e sigurisë, ku paqartësia është sistematike.
“Ballkani Perëndimor nuk është më një çështje e pazgjidhur e Amerikës dhe Evropës. Sot, Ballkani Perëndimor është një dilemë e pazgjidhur e sigurisë. Dhe aty nuk përballemi me ndonjë paqëndrueshmëri margjinale, por me një paqartësi sistematike.”, ka thënë Hoxhaj.
“Nëse Rusia po sfidon kufijtë në Evropën Lindore, dhe Serbia po sfidon kufijtë në Ballkanin Perëndimor, nuk mendoj se mund të shohim parashikueshmëri dhe stabilitet në të ardhmen. Prandaj, sipas mendimit tim, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë parashikueshmëri, do të thotë stabilitet, do të thotë siguri, dhe sipas meje, koha është tani.”, theksoi ai.
VIDEO:






