Anëtari i Kryesisë së PDK-së dhe deputet i kësaj partie, Enver Hoxhaj ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti që në natën e 9 shkurtit e ka bërë të qartë se nuk dëshiron krijimin e institucioneve.
Ai këtë e ka thënë duke përmendur një deklaratë që Kurti dha pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas vlerësimit të Hoxhajt, Kurti këtë e ka bërë pasi nuk ka qenë i kënaqur me rezultatin e zgjedhje.
“Në natën e 9 shkurtit z.Kurti përdori një terminologji zoologjike për të përshkruar opozitën, për mu ka qenë e qartë që ai nuk dëshiron me formua institucione dhe ky ka qenë mesazhi jo vetëm për opozitën, por që ja ka drejtuar një pjesë të popullatës për pakënaqësinë e rezultatit. Nuk ka dashtë që të ketë bashkëqeverisje, nuk ka pas vullnet që të bashkëqeverisje”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë në “Këndin e Debatit” në Tëvë1.
Ai i pyetur për ftesën që Kurti i ka bërë LDK-së për bashkëqeverisje, ka thënë se kanë qenë taktika për të shpërndarë përgjegjësinë.
Nuk kanë qenë serioze.
“Ajo çfarë ka ndodhë është se më 9 shkurt qytetarët kanë vendos që z.Kurti të bashkëqeverisje dhe ai nuk ka pas interes. Dhe fajtori kryesor për krizën është z. Kurti. Unë e kam ditur që nuk ka me pas institucione. Lëvizjet e tij kanë qenë taktike për të bërë përgjegjës kolegët e tjerë dhe unë nuk besoj që ftesa për LDK-në ka qenë serioze”, tha Hoxhaj.
Pas dështimit për formimin e institucioneve, presidentja Osmani të enjten ka shpall 28 dhjetorin datë ku pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka dështuar ta formojë qeverinë pas dy tentimeve. Ku, Kurti e Konjufca si të mandatuar për kryeministër nuk morën votat e mjaftueshme në Kuvend.






