Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka komentuar miratimin e ankesës së Listës Serbe nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me moscertifikimin e kësaj partie nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e vitit 2025.
Duke folur në emisionin “Pressing” të T7, Hoxhaj shprehu shqetësimin se këto zhvillime vetëm sa po e fuqizojnë pozicionin e Listës Serbe në veri të Kosovës.
“Vendimin që e ka marrë PZAP është fjala e fundit finale. Ne e kemi ditur, se edhe loja që e ka bo KQZ më shumë ka qenë në funksion të Kurtit dhe të idesë së tij qendrore, se veriu I Kosovës është një platformë elektorale për të e jo shtetërore. E kemi parë si përpjekje për të manipuluar me opinionin publik. Kurti e ka përdorur në këto tri vitet e fundit, si edhe tash në fushatën zgjedhore, veriun e Kosovës në platformë elektorale, që mban në pushtet Albin Kurtin në Prishtinë dhe Aleksandër Vuciqin në Beograd. Politikisht, Listën Serbe këto veprime më shumë e forcojnë atë në veri”, deklaroi ish-kryediplomati Hoxhaj.