Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka apeluar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të arrijë një zgjidhje kompromisi me sindikatat.
Hoxhaj i cili është edhe nënkryetar i legjislativit, gjatë debatit parlamentar për grevën në arsim, tha se Kurti s’ka nevojë të luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat dhe opozitën.
“(Kryeministri) nuk ka nevojë të luajë rolin e të fortit në raport me sindikatat. Nuk ka nevojë të luajë rolin e të fuqishmit në raport me opozitën. Por ka nevojë të kuptojë se si duket procesi demokratik. Ai duket në këtë formë, dialogu është platformë për të arritur deri tek e vërteta, e ajo është kompromisi. Kompromisi çfarë kërkojnë sindikatat, mësimdhënësit dhe kompromisi brenda mundësive që i ka Qeveria e Kosovës për të bërë një zgjidhje”, theksoi ai.
Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike në Kosovë janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët. Në grevë, nga 25 gushti, janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.