Jürgen Habermas ka ndërruar jetë, ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka kujtuar filozofin gjerman si një nga mendimtarët më me ndikim të kohës moderne dhe një mbështetës të fuqishëm të ndërhyrjes së NATO në Kosovë në vitin 1999.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj shkroi se vdekja e Habermasit shënon humbjen e një prej figurave më të rëndësishme të mendimit politik dhe filozofik në Evropë.
“Jürgen Habermas, filozofi më i madh i kohës sonë, është ndarë sot nga jeta. Ai ishte ndër mendimtarët më me ndikim në çështjet e demokracisë, drejtësisë dhe lirisë”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, Habermas e ndërtoi gjithë filozofinë politike mbi idenë se demokracia duhet të mbështetet te debati racional dhe te fuqia e argumentit.
“Si iluminist, ai e kishte emancipimin e njeriut si qëllimin themelor. Sipas tij, vendimmarrja demokratike duhet të ndërtohet mbi diskursin racional, përmes shkëmbimit të argumenteve, e jo përmes manipulimit”, theksoi Hoxhaj.
Ai gjithashtu kujtoi rolin e Habermasit në mbështetje të ndërhyrjes ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë.
“Habermas i mbrojti fuqishëm shqiptarët e Kosovës në vitin 1999, duke mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, me argumentin se askush nuk duhet t’i braktisë viktimat përballë dhunës dhe padrejtësisë”, shkroi Hoxhaj.
Në fund të reagimit të tij, ai tha se për më shumë se tre dekada ka qenë një lexues i përkushtuar i veprës së filozofit gjerman.
“Ende e ruaj artikullin e tij në mbështetjen tonë nga ajo kohë dhe kam mbetur një lexues me pasion i veprës së tij për më shumë se 30 vjet”, përfundoi Hoxhaj.
https://www.facebook.com/






