Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se qytetarët duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë historike të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke ”akuzuar” kryetarin e VV-së Albin Kurti se ka krijuar me qëllim një situatë politike të tillë.
Sipas tij, Kosova po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe me një krizë të thellë në politikën e jashtme, të cilën e cilësoi si “dramatike”. Hoxhaj paralajmëroi se viti i ardhshëm do të jetë sfidues për shtetin, ndaj vendimi i qytetarëve më 28 dhjetor merr peshë historike.
“Qytetarët duhet ta dinë se më 28 dhjetor ne shkojmë në zgjedhje. Duhet ta dinë, sepse Albin Kurti ka dashur të krijojë një situatë të tillë politike. Përtej kësaj, situata ekonomike brenda Kosovës është e vështirë, ndërsa situata në politikën e jashtme është dramatike, pasi vitin e ardhshëm do ta përjetojmë dramën më serioze. Prandaj, ajo që zgjedhin qytetarët është historike”, tha Hoxhaj.






