Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të garantojë siguri dhe paqe në rajon pa NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hoxhaj ka thënë se është e paimagjinueshme që Kosova të shfaqet në konferenca ndërkombëtare si kundërshtare e Perëndimit, e kjo sipas tij, e ka zëvendësuar Serbinë.
“Ishte e paimagjinueshme që Kosova të shfaqet në konferenca ndërkombëtare si kundërshtare e Perëndimit, duke e zëvendësuar Serbinë dhe autokracitë e Evropës Lindore në këtë rol! Ka ndodhur një ndërrim i roleve: Kosova tash është kundërshtare dhe Serbia shihet si partnere, sikurse ndodhi sot në Dubrovnik! Logjika e diplomacisë së çajtoreve e sheh Sekretarin Blinken si naiv dhe BE-në si tigër prej letre!”, thuhet në postimin e Hoxhaj në Facebook.
Kujtojmë që Gërvalla në arsyetimin e saj për këtë ka thënë se brenda vendeve të BE-së nuk ka vullnet politik dhe unitet.