Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se qëndrimi amerikan është duke u përkeqësuar, derisa edhe aleatët kryesorë evropianë janë në kulm të pakënaqësive me Qeverinë Kurti.
“Fakti që vendimi për tokat e manastirit shkoi huq, tregon për një amatorizëm dhe një moskoordinim eklatant me aleatët shtetbërës të Republikës së Kosovës.”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjithashtu tha se deklaratat e pamatura dje, sot morën një dush të ftohtë, siç u shpreh ai.
“Mosbesimi është thelluar aq shumë me aleatët, sa që diplomacia jonë është krejtësisht e izoluar dhe joefektive. Nuk po flitet më për njohje dhe anëtarësime në diplomaci me aleatët, po për dinarë e për kadastra! Kjo tregon që politika e jashtme është kthyer në ofiqari për dinarë e për kadastra.”, ka shkruar tutje Hoxhaj.
Në fund të reagimit të tij, Hoxhaj tha se përgjegjësia e plotë për këtë i takon kësaj qeverie, dhe u shpreh se “do mbesim pa aleatë me këtë ritëm të tmerrshëm të gabimeve!”. “Por, Kosova nuk do t’ia kthej shpinën aleatëve, por kësaj qeverie anti-historike.”, ka shkruar Hoxhaj në fund.