Me këtë fotografi të maturantit nga komunitetit serb, u bë propagandë ndaj policisë së Kosovës.
Pretendimet se në trupin e maturantit kishte shenje dhune i hodhi poshtë Policia e Kosovës, e cila theksoi që ato ishin vetëm disa vizatime me ngjyrë të kuqe, të cilat ky i ri serb i bëri bashkë me shokët e tij.
E propagandë të tillë, por edhe në mënyra të tjera, tashmë policia e Kosovës ka vlerësuar se po intensifikohet nga Serbia.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha thotë për Tëvë1 se, pas një analize të thellë me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, kanë arritur në këtë konkluzion, se Serbia po bënë luftë hibride ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
“Po, ne bazuar edhe në analizat që I kemi bërë me shërbimet tona të sigurisë, edhe të inteligjencës edhe të Policisë së Kosovës, por edhe shërbimeve të tjera, kemi ardhë në një konstatim që është një luftë e hapur hibride, propaganduese kundër Policisë së Kosovës, dhe segmenteve të tjera të sigurisë të rendit dhe ligjit në veri të vendit. Jemi duke e marrë seriozisht, sidoqoftë i trajtojmë me prioritet dhe seriozitet çdo ankesë që mund të vije karshi punës së policëve tonë, qoftë punës kolektive qoftë individuale të sjelljeve eventuale të pahijshme policëve tanë”, ka thënë Hoxha për Tëvë1.
Përveç kësaj, propaganda ndaj zyrtarëve policor po vazhdon edhe me pretendimet për ngacmime seksuale, për çka drejtori i Policisë thotë se që nga largimi i zyrtarëve policor të komunitetit serbë, nuk është deponuar asnjë rast i vetëm i këtij formati.
“Faktikisht që nga dorëzimi I policëve ish-kolegëve tonë serbë, që kanë dhënë dorëheqje nga veriu I vendit, në fund të vitit 2022, e deri më sot në Policinë e Kosovës, nuk ka arrit asnjë ankesë që ndërlidhet me shqetësimet seksuale, asnjë ankesë nuk është trajtua në Policinë e Kosovës, dhe nuk është adresua nga askush, as nga individë, as nga qytetarët, as nga OJQ-të as ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar që kishte mundur me pranuar informatë për ankesë të tillë. Ne kemi komunikuar edhe me kryeshefin e IPK-së edhe nga ai kemi marrë informacione që as në IPK nuk ka informacion nuk asnjë ankesë të drejtuar kundër sjelljes së policisë që ndërlidhet me ngacmime seksuale”, thotë drejtori i PK-së.
E që gjithçka të kontrollohet, në të mirën e qytetarëve në katër komunat veriore, tashmë është krijuar një taks-forcë që do të merret me çdo ankesë që vjen nga qytetarët.
“Në kuadër të kësaj taks-force, kemi caktuar dy epror të lartë të policisë së Kosovës nga Drejtoria Rajonale e Policisë në veri të vendit, dy zyrtarë të tjerë nga policia kufitare, Departamenti I Kufirit, që po ashtu janë prezent në veri të vendit, për arsye je të mbikëqyrjes së pjesës së gjelbër, po ashtu edhe pikave tona kufitare, të kalimit me Serbinë. Përveç këtyre, janë edhe tre zyrtar policor, nga drejtoria e hetimeve të brendshme, të cilët do të jenë pjesë e kësaj taks-forcë, për ta realizua çfarëdo ankese që vije në Policinë e Kosovës. E në mesin e tyre mund të jenë edhe këto që ju e thatë, që ka disa shqetësime se mund të ketë disa zyrtarë tanë që kanë tejkalua kompetencat kanë bërë sjellje të pahijshme apo mund të kenë sjellje të pahijshme ndaj qytetarëve tanë në veri të vendit” , thotë Hoxha.
Përveç vendorëve, në këtë taks-forcë janë edhe ndërkombëtarët.
“Në cilësinë e vëzhguesit, në kuadër të kësaj taks-force do të jetë edhe një zyrtar I IPK-së, po ashtu edhe një zyrtar I EULEX-it, kemi komunikuar me këto dy institucione, të cilët janë të pavarur nga policia e Kosovës, jemi duke punuar që së pari të sigurojmë një lloj analize të gjendjes faktike, edhe varësisht nga kjo të marrim hapa drejtë edhe trajtimit po ashtu drejtë preventivës çfarëdo sjellje që do të kishte me dëmtua imazhin e Policisë po ashtu kishte me dëmtua edhe qytetarët tanë, sepse interesi ynë nuk është vetëm për ta ruajtur imazhin e policisë, interesi ynë që qytetarët tanë në veri të vendit, qofshin serbë, boshnjakë, qofshin shqiptarë ta ndijnë vetën sigurt. Polici i Kosovës duhet me qenë adresa ku ata mund t’i drejtohen për çfarëdo nevoje që lidhet me sigurinë , po ashtu për ndihmesa të tjera që lidhen me shërbimet publike që janë institucionet tona që veprojnë në komunat e veriut të vendit” , shprehet Hoxha.
I pyetur nëse Serbia po e përdor këtë propagandë për të minuar punën që po bëhet në katër komunat veriore nga Policia e Kosovës, drejtori i përgjithshëm i PK-së, ka këtë përgjigje.
“ Mendoj që puna që është bërë nga Policia e Kosovës, por jo vetëm, është kolosale, është historike, ne kemi arrit që atje ti shkatërrojmë bandat kriminale, ta shkatërrojmë aktivitetin e tyre, ta parandalojmë futjen e kontrabandës, armëve, mallrave të tjera, drogën, alkoolin, derivatet të gjitha cfarë është futur në mënyrë kështu pakontrollueshëm në veri të vendit, pastaj nga këto veprime kriminale janë financuar edhe operacionet e grupeve kriminale, grupeve terroriste, çfarë i kemi pas në rastin e Banjskës, siç është Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut”, ka thënë ai.
Por, për çfarë kanë shërbyer këto grupe kriminale serbe në veri të vendit.?
“Dhe, pastaj me këto grupe kriminale janë gërshetuar edhe interesat e vet shërbimeve serbe me qellim të destabilizimit të veriut të vendit, duke tentuar që atje të krijohet një lloj vakumi institucional një lloj pasigurie, njëfarë oaze e krimit të organizuar e që nuk mund të menaxhohet pa pajtim të Serbisë, kjo tentativë e tejkaluar edhe sot mbizotëron rendi dhe ligji në veri të vendit, sot qytetarët e lirshëm shkojnë në punët e veta, shkojnë në shkollë, ecin përpara dhe po ashtu rendi dhe ligji është mbi të gjitha” , tregon Hoxha.
Sipas drejtorit Hoxha, në veri të vendit vazhdon të mbetët situate e qetë, por fragjile pasi që Serbia përmes grupeve të caktuara tenton të mbanë këtë zonë të tensionuar për poena politik.