Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë, ka arrestuar sot Fatmir Shehollin nën dyshimet e bazuara për përfshirje në veprimtari spiunazhi.
Sipas ish-ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe njëhershit avokatit, Valdet Hoxha, veprat penale që synojnë sabotimin e institucioneve të Kosovës nuk duhet të injorohen.
Ai thekson se interesi i madh i Serbisë është që në Kosovë të ketë sa më shumë persona që mund t’u japin informacion atyre që synojnë të sabotojnë institucionet e vendit dhe të krijojnë pasiguri.
Derisa, ai shtoi se institucionet e Kosovës duhet të bazojnë dyshimet në prova materiale dhe personale, duke respektuar gjithmonë procedurat ligjore.
“Është një vepër shumë e rëndë dhe jo rastësisht bën pjesë në kapitullin e veprave kundër rendit kushtetues në kodin penal të Kosovës dhe po besoj që interesi shumë i madh i Serbisë është që të ketë sa më shumë persona të cilët mund t’ju japin informacion atyre të cilat mund t’i sabotojnë institucionet e Kosovës, mund të krijojnë pasiguri, por institucionet tona duhet që këto dyshime t’i argumentojë me prova material, personale dhe gjithçka që mund të përdoret për të komentuar në mënyrë të ligjshme.
“Fatmir Sheholli minimum mund të dënohet me 5 vite burgim nëse vërtetohet se ka kryer veprën penale dhe kodi i sheh këto situata, mund të jetë dikush X personi nëse krijon një organizatë brenda vendit dhe pastaj këto veprimtari të saj këto veprime të organizatave i plason për dëm të shtetit dhe rendit kushtetues atëherë mund të sanksionohet me minimum 10 vite”, deklaroi Hoxha në emisionin “Ditari” në Tëvë1.