Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u ka dërguar mesazh shqiptarëve, me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Përmes një video-adresimi, Hovenier ka thënë se ndjehet krenar me arritjet e shtetit të Kosovës, duke shtuar se këto të arritura janë të jashtëzakonshme.
“25 vjet më parë, forcat e NATO-s mbërritën në Kosovë. Lidershipi i SHBA-së luajti rol jetik për të mundësuar këtë, meqenëse ne, së bashku me aleatët tanë, i dhamë fund njëherë e përgjithmonë fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik që regjimi i Millosheviqit e kreu këtu në Kosovë.
Tani, 25 vjet më vonë, jemi krenar për gjithçka që keni arritur. Ju e keni ndërtuar shtetin tuaj sovran, demokratik dhe shumetnik nga themeli. Ajo që keni arritur është e jashtëzakonshme. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partneri juaj ndërsa shënoni këtë moment historik të rëndësishëm. Dëshiroj të theksoj se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë” tha mes të tjerash Hovenier.
Ambasadori amerikan tha se SHBA-ja qëndron me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës.
“Kemi qenë me ju që në fillim. Jemi me ju tani. Dhe mirëpresim të qëndrojmë përkrah jush në vitet që vijnë” shtoi Hovenier.