Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se sipas informacioneve që posedojnë, zyrtarët serbë kanë kërkuar zyrtarisht ndihmë juridike nga autoritetet e Kosovës në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier përmendi se kërkesa e Serbisë ka të bëjë me sigurimin e provave thelbësore për ndjekjen penale të Radojiçiqit, i cili kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit.
“Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare”, ka thënë ai.
Hovenier shprehu optimizëm për gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar. Ai i kërkoi qeverisë së Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Serbisë, duke theksuar se ndjekja efektive është vendimtare.
“Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”.