Ish-ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka rikujtuar detyrimet që Kosova dhe Serbia kanë në procesin e dialogut të Brukselit.
Ai ka bërë me dije se Asociacioni nuk është hequr si obligim i Kosovës dhe se ai aty është që nga viti 2013.
Në një bisedë për “Atlantic Council”, diplomati amerikan ka këshilluar emisarin e ri të BE-së për dialog, Peter Sorensen, që të mos negociojë zotime të reja në proces.
Sipas tij, ndërmjetësi i ri duhet të këmbëngul në zbatimin e obligimeve të vjetra.
“Republika e Kosovës bëri një zotim për këtë në vitin 2013. Ai zotim nuk është hequr dhe ai zotim qëndron. Ka edhe zotime që ka marrë edhe Serbia, gjëra që duhet të bëjë, të cilat gjithashtu duhet të zbatohen. Ky zotim në lidhje me Asociacionin u përsërit fuqishëm në kontekstin e Marrëveshjes Bazike të 2023-ës dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Dhe unë personalisht besoj – dhe nëse do t’i jepja këshilla Peter Sorensen dhe Bashkimit Europian, mendoj se mënyra më e mirë për të ecur përpara është të mos negociosh zotime të reja tani, sepse ajo që u arrit në vitin 2023 është një paketë mjaft mbresëlënëse. Thjesht mungon plotësisht në zbatim”, ka thënë Hovenier në Atlantic Council.
Ai ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mos përmbushje të obligimeve në dialog.
“As Kosova dhe as Serbia nuk i kanë marrë seriozisht obligimet për zbatimin e zotimeve”, është shprehur ai.
Diplomatin amerikan ka treguar se ku ka ngelur procesi në mes të dy vendeve.
“Aty ku kemi ngecur ka qenë disa herë në çështjet shumë të vështira të ndjeshme se si të përmbushen më së miri premtimet e bëra dhe vizioni i vendit në kohën e [kur shpalli] pavarësisë në bazë të mbështetjes sonë për pavarësinë, i cili ishte për një vend multietnik dhe në të cilin do të kishte disa mbrojtje të veçanta për komunitetet joshumicë, veçanërisht komunitetin serb, duke pasë parasysh historinë e ndërlikuar dhe të vështirë”, është shprehur ai.
Ndër të tjerë, ish-ambasadori amerikan ka bërë me dije se problemi kryesor në procesin e Brukselit ka qenë se si ndihma e Serbisë për komunitetin serb të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne ngecëm në disa nga çështjet se si të zbatohen më së miri mbrojtjet kushtetuese për komunitetet pakicë. Ne ngecëm në çështjet se si Serbia mund të ushtrojë më së miri të drejtën që ka nën Ahtisaarin për t’i dhënë mbështetje komunitetit serb në Kosovë, por në një mënyrë që janë në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur ai.