Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si Qeveria po e trajtom situatën në veri të Kosovës.
Sipas Hotit, integrimi i komunitetit serb në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës është një domosdoshmëri, duke shtuar se pa këtë integrim, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë.
Ai theksoi se duhet të respektohet përfaqësimi adekuat i serbëve në strukturat shtetërore, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
“Besoj fuqishëm që një politikan i përgjegjshëm duhet ta ketë të qartë që një komunitet nuk qeveriset në mënyrë të dhunshme. Besoj fuqishëm që veriu i vendit duhet të qeveriset bashkë me komunitetin që jeton atje. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk mund dhe nuk duhet të përkrahim qeverisjen e një pjese të Kosovës përmes forcave speciale. Ne na duhen përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, siç kanë qenë më herët. Mund t’i kritikojmë sa lojal kanë qenë ndaj Republikës së Kosovës, ajo është temë tjetër. Por në të kaluarën ata kanë qenë pjesë e institucioneve të Kosovës, kanë dhënë betimin sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Hoti në emisionin Paradoks të Paparacit.