Një delegacion nga Fondi Monetar Ndërkombëtar po qëndron në Kosovë.
Ish-kryeminstri Avdullah Hoti sot ka zhvilluar një takim me këtë delagacion.
Hoti tha se kanë diskutuar për situatën ekonomike të vendit, për krizat që ka kaluar Kosova muajve të fundit.
Me shqetësim, Hoti ia ka përcjellë zyrtarëve të FMN’së, parametrat ekonomik dhe buxhetor në qeverisjen e Albin Kurtit, ku sipas tij ka rënje të investimeve kapitale dhe vonesat në emërimet në borde në institucione kyqe financiare në vend.
Postimi i plotë:
Sot takova misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që po qëndron në Kosovë.
Diskutuam në detaje për situatën ekonomike në vend. Vitin e kaluar Kosova ka përjetuar krizën më të madhe të dekadës së fundit, të shkaktuar nga inflacioni i lartë dhe kriza energjetike. Kjo krizë ka shkaktuar një tronditje në jetën e qytetarëve dhe në kostot e bizneseve.
Delegacionit të FMN-së ia prezantova qëndrimin tonë lidhur me zhvillimet ekonomike aktuale dhe të pritshme.
Shpreha shqetësimin tonë si parti e djathtë, që mbështet konkurrencën e lirë dhe biznesin privat, për përkeqësimin e strukturës së buxhetit shtetëror, konkretisht për rënien e investimeve kapitale nga 23% në 15% të buxhetit, si dhe për rritjen e shpenzimeve për subvencione dhe transfere nga 32% në 42% të buxhetit. Një strukturë e tillë e buxhetit nuk e ndihmon ekonominë të përballet me sfidat nëpër të cilat po kalojmë.
Shpreha shqetësimin për vonesat në emërimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore, Bordit të Trustit Pensional, Komisionin për Ndihmë Shtetërore dhe trupave të tjerë shtetërorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e ekonomisë.
Institucionet tona duhet të bashkëpunojnë ngushtë me FMN-në. Reformat kryesore ekonomike duhet të diskutohen gjerësisht me FMN-në dhe misionin që mbulon Kosovën. Përvoja e tyre është globale dhe, rrjedhimisht, shumë e vlefshme për vendimmarrjen e institucioneve të Kosovës.
I falënderova për angazhimin e tyre gjatë viteve. LDK-ja do të jetë konstruktive në të mirën e qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.