Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, ka refuzuar të fajësojë datën e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit për rezultatin e partisë së tij në raport me votën e diasporës.
Në një intervistë për emisionin “Pressing” me gazetarin Leonard Kërquki, Hoti u pyet nëse e shihte problematike mbajtjen e zgjedhjeve në fundvit, kohë kur diaspora votoi masivisht për Lëvizjen Vetëvendosje.
Hoti tha se bashkatdhetarët janë qytetarë të Kosovës me të drejtë të plotë vote dhe se partitë nuk duhet të bëjnë llogari taktike me data për të vështirësuar ardhjen e tyre.
Duke folur hapur për pozicionin e LDK-së, Hoti pranoi realitetin e numrave, duke konfirmuar se mbështetja për LDK-në në diasporë është dukshëm më e vogël krahasuar me fituesin e zgjedhjeve. Megjithatë, sipas tij, zgjidhja nuk është te ankesat për datën.
“Unë kam një qasje tjetër. Këta që janë në diasporë janë qytetar të Kosovës. Ata kanë të drejtë vote dhe nuk është e udhës që partitë politike të taktizojnë për një datë politike, për një datë të zgjedhjeve që është politikisht më pak e favorshme për disa subjkete politike ose që është më vështirë për qytetarët tanë që janë në diasporë për të ardhë dhe për të votu. Ajo që është e vërtetë është që mbështetja e LDK-së në diasporë është dukshëm më e vogël sesa e subjektit fitues të zgjedhjeve. Ne duhet t’i kthehemi vetes se si të rrisim mbështetjen edhe tek diaspora.” – tha Hoti ne Pressing.






