Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas hyrjes në fuqi të ligjit ku mes tjerash, ulet tatimi në pagë.
Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, për katër vite rriti pagat për 6.8 euro.
“Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve.” – ka thënë tutje ai.
Hoti ka përmendur se rreth një miliard euro të planifikuara për invesitme kapitale nuk janë shpenzuar.
“Investimet e jashtme janë reduktuar në shpenzimet e mërgimtarëve kryesisht në patundshmëri, pasi investime nga kompanive të huaja pothuajse nuk ka fare”.
Tutje, Hoti ka përmendur edhe Osmanin:
“Kjo është e kuptueshme pasi Kurti dhe koalicioni i tij me Osmanin dhe të tjerët e kthyen Kosovën në problem të sigurisë për aleatët. Qasja e tyre, e bazuar në agjenda politike lokale dhe e paakorduar me aleatët, e bllokoi agjendën euro-integruese të Kosovës, i bllokuan njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë dhe e ktheu Kosovën prapa. Sot, Kosova shihet nga aleatët jo si një vend me sfida për integrim euro-atlantik, por si një vend me sfida të sigurisë rajonale, ku duhet rritur praninë e KFOR-it, e duhet vizituar nga zyrtarët më të lartë të inteligjencës”.