Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi kanidat partiak për President, Glauk Konjufca.
Hoti tha se historia po përsëritet dhe ky është skenari i njëjtë me vitin 2020, ku LVV prishi koalicionin me LDK-në.
Postimi i plotë:
Sot, historia po përsëritet.
Në vitin 2020, ishte vetë Kurti ai që rrëzoi qeverinë që e udhëhiqte duke e shtyer prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sot, me veprime të njëanshme pa asnjë lloj marrëveshje politike, e me një kandidat për President që nuk i ka votat e mjaftueshme, Kurti sërish po e rrëzon qeverinë që e udhëheq dhe po shkakton zgjedhje të reja. Kjo sjellje nuk ka lidhje me interesin e qytetarëve, por bëhet vetëm për kalkulime politike.
Sot, qytetarët po e kuptojnë qartë se, sikurse në vitin 2020, kriza nuk është për çështje parimore, por për interesa meskine politike.
Skenari i Kurtit është i njëjtë si gjithmone: polarizim, imponim dhe pastaj zgjedhje.
Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, ka nevojë për konsensus për çështje madhore dhe për stabilitet institucional.
Çështje madhore janë të gjitha ato çështje që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, siç është zgjedhje e Presidentit.
Faturën e veprimeve të papërgjegjshme e paguajnë qytetarët dhe gjithë shteti i Kosovës.





