21.5 C
New York
Wednesday, September 3, 2025

Buy now

Hoti: Kuvendi nuk është i konstituuar, janë shkelur parimet kushtetuese

- Advertisement -

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kuvendi i Kosovës ende mbetet i pakonstituuar dhe se janë shkelur sërish parimet kushtetuese gjatë seancës së zgjedhjes së nënkryetarit nga radha e komuniteteve jo-shumicë.

Sipas Hotit, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë qartë që ndërrimi i rendit të ditës është antikushtetues.

“Proceduralisht, sipas Kushtetutës dhe sipas rregullores së Kuvendit e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk është i konstituuar. Në interpretimin e saktë dhe teknik të procedurave, që janë zhvilluar atë ditë në Kuvend, ka pasur shkelje. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë qartë që ndërrimi i rendit të ditës është antikushtetues”, ka thënë Hoti.

“Shkelja kushtetuese është bërë kur janë ndarë dy votimet për nënkryetarë nga komunitetet jo-shumicë”, ka thënë ai për RTK.

Hoti ka thënë se përderisa Kuvendi nuk është i konstituuar, nuk ka logjikë të mbahet mbledhje nga ana e kryesisë së Kuvendit, sepse, sipas tij, ato s’kanë rëndësi kushtetuese. Ai ka thënë se duhet njoftuar Presidentja e vendit për formimin e legjislaturës së nëntë.

Pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur dje në takim Bashën, ku ai ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit. Ndërkohë, Osmani e ka informuar Bashën se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.

Të ngjashme

Të fundit