Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se pas sulmit terrorit në Banjsë, lidershipi i Kosovës duhet ta shfrytëzoj këtë momentum për dialogun me Serbinë dhe për të rivendosur bashkëpunimin me aleatët e jo për politikë të brendshme.
Deputeti i LDK-së, Hoti, ka shkruar se liderët kosovarë duhet të jetë të kujdesshëm në deklarime për kushtëzimin e dialogut, sipas tij kushtëzimet e izolojnë Kosovën.
Hoti tutje ka thumbuar pushtetin për sic ka thënë nuk është e nevojshme që aleatëve tu tregohet kush është Serbia pasi ata e dinë më mirë kush është ajo.
Postimi i plotë:
Lidhur me dialogun në rrethanat e reja pas sulmit terrorist në Banjskë
E para, tani është një moment i ri në proces të dialogut për normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin tonë agresor. Në koordinim me aleatët, lidershipi i Kosovës duhet të shfrytëzojë këtë moment për të rivendosur bashkëpunimin e cenuar me aleatët dhe për avancim të integrimit euro-atlantik, e jo për politikë të brendshme siç po vepron tani.
E dyta, lidershipi i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm në deklarime dhe kushtëzime lidhur me dialogun. Dialogu jonë është para se gjithash me Brukselin e Uashingtonin. Përmes tyre qendrave kalon rruga e Kosovës për BE dhe NATO. Rrugë tjetër nuk ka. Kushtëzimet na izolojnë. Shpresoj që kësaj radhe lidershipi i Kosovës ka zënë mend për rëndësinë e respektimit të këshillave të aleatëve, të cilët në çdo moment po e garantojnë kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial e sovranitetin e shtetit të Kosovës.
E treta, duhet rindërtuar konsensusi dhe dakordimi me aleatët tanë, i cili dakordim ka ekzistuar në qeverinë paraprake, për një proces dialogu që shpie tek marrëveshja për njohje reciproke si e vetmja zgjidhje për paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës. Lidershipi i Kosovës duhet të fokusohet në ndërtimin e këtij konsensusi me aleatët tanë, e jo në agjendë triviale për t’ia mbushur mendjen botës se çfarë është fqinji jonë verior. Jam i bindur se inteligjenca informative e aleatëve nuk ka nevojë për deklarime ditore të lidershipit të Kosovës.