Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti në një intervistë për Reporterin ka komentuar punën e Kuvendit të Kosovës dhe raportet ndërkombëtare karshi Kosovës.
Hoti në këtë intervistë ka thënë se niveli i punës së Kuvendit nuk ka qenë më i ulët sesa gjatë katër vjetëve të fundit. Sipas tij, raportet e shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare tregojnë se ky mandat legjislativ ka qenë i dështuar.
“Sa i përket çështjes së kërcënimeve të deputetëve karshi medias dhe gjyqësorit, raportet ndërkombëtare tregojnë më së miri se çfarë niveli ka rënë Republika e Kosovës, nga një shtet shembull për liri të shprehjes, demokraci dhe gjyqësor të pavarur, në një shtet ku deputetët dhe kryeministri atakojnë publikisht gjyqtarët dhe mediat”, ka thënë deputeti Hoti.
Ai ka kritikuar edhe presidenten Vjosa Osmani që nuk ka reaguar ndaj sulmeve të pushtetit karshi mediave.
“Është për keqardhje vegjetimi i Osmanit ndaj gjithë kësaj katrahure, ajo me heshtje po i miraton gjithë këto sulme të pushtetit ku ajo është pjese ndaj mediave”, ka thënë Hoti.
Deputeti i LDK-së ka deklaruar se sulmet e tilla ndaj pushtetit nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë. Për Hotin, mediat kanë qenë zë i fuqishëm ndër vite, zë kritik edhe ndaj pushtetit.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur që pushteti t’i kërcënojë publikisht mediat dhe të tentojë t’i censurojë ato me ligje antikushtetuese. Vetëm në shtetet totalitare mbyllen mediat, siç u tentua me një televizion nacional në Kosovë. Besoj shumë se është e kotë kjo qasje e qeverisë. Po jetojmë në kohën e revolucionit teknologjik, ku secili qytetar është gazetar dhe merr pjesë në debatin publik”, ka thënë Hoti.
“Gazetarët në Kosovë kanë qenë krah i djathtë i përpjekjeve dhe luftës për çlirimin e Kosovës. Ata kanë rezistuar kur janë rrezikuar me jetë, e lëre më sot kur marrin fyerje e kërcënime nga politikanë me mendësi totalitare që ndjellin urrejtje në shoqëri dhe polarizojnë qytetarët. Ata nuk janë nënshtruar ndaj regjimit gjenocidal të Serbisë, e lëre më ndaj një kryeministri siç është z. Kurti”.